19-vjeçari i Kombëtares bën hap gjigand, kalon në kampionatin portugez

Agim Zeka hap një kapitull të ri në karrierën e tij futbollistike. Mesfushori 19-vjeçar i lindur në Drenicë është huazuar te portugezët e Varzim Sport Club, që militojnë në Kategorinë e Dytë të futbollit luzitan.

Huazimi te ekipi i Varzim, u bë me dije nga vetë klubi portugez, që njoftoi transferimin e talentit shqiptar, i cili ka nisur menjëherë punën me skuadrën. Gjatë pjesës së parë të sezonit, Zeka u aktivizua te skuadra e dytë e Lilles në Francë, ku u transferua në vitin 2016, pas një eksperience të shkurtër të Skënderbeu.

“Kam vetëm një ditë në këtë klub por mbështetja që kam marrë është shumë e madhe. E di shumë mirë situatën aktuale të skuadrës dhe jam këtu për ta ndihmuar të ngjitet sa më shumë në klasifikim. Jam këtu për të dhënë 100 %”, thekson Zeka në faqen zyrtare të klubit.

Aktualisht Varzim mban vendin e 17 në kampionatin portugez dhe është shumë pranë zonës së ftohtë duke rrezikuar seriozisht rënien në Kategorinë e Tretë.