BESA ofron zgjidhje për shtratin e lumit Shkumbin në Tetovë, BDI refuzon amendamentet

Gjatë debatit të sotëm në komisionin e kuvendit për financim dhe buxhet, Lëvizja BESA propozoi tre amendamente me të cilat parashiheshin që të zgjidhen tre çështje shumë të rëndësishme. Fillimisht, BESA propozoi amendament me të cilin parashihej që të sigurohen mjete në vlerë prej 6.000.000 denarëve për ndërtimin e parkut ku ndodhet depoja në Tetovë. Me ndërtimin e parkut do të zmadhohet sipërfaqja e gjelbër e cila edhe ashtu mungon në Komunën e Tetovës. Mirëpo, ky amendament nuk u pranua nga komisioni, ndërkohë që edhe BDI ishte kundër këtij propozimi me të cilin duhej të ndërtohet një vend për rekreacion për qytetarët e Tetovës dhe mundësohej mjedis ekologjik më i pastër. Më pas, BESA propozoi edhe amendament me të cilin siguroheshin mjete në vlerë prej 3.000.000 denarëve për përpilimin e projektit për ndërtimin e shtratit të lumit Shkumbin në Tetovë, prej urrës në rrugën “Industriska” deri në urrën në autostradën Shkup – Gostivar. Bëhet fjalë për mjedis urban në komunën e Tetovës ku më 3 gusht të vitit 2015 ishin vërshuar mbi 40 shtëpi, automjete, disa hektar tokë bujqësore, si dhe u dëmtua infrastruktura rrugore. Por, sërish kundër këtij amendamenti u paraqit Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe amendamenti nuk kaloi. Gjatë debatit të komisionit në kuvend, BESA propozoi edhe një amendament me të cilin duhej të siguroheshin mjete në vlerë prej 20.000.000 denarëve për rekonstruksionin dhe përmirësimin e Liqenit të Treskës dhe parkut në Saraj. Ishte ky amendamenti i tretë i cili u kundërshtua nga BDI, e cila edhe në këtë rast votoi kundër.