Del në shitje vetura legjendare e vitit 1971

Ka dalë për shitje vetura legjendare e vitit 1971, Plymouth Barracuda, çmimi i të cilës kur është lansuar tani është rritur në një përqindje shumë të madhe.

Modeli sportiv në fotografitë Plymouth ‘Cuda, i cili është ndërtuar sipas porosisë, ka motor Hemi V8 me kapacitet prej 425 kuajfuqi, transmeton Koha.net. Ky model është shfaqur në ofertat e kompanisë e cila është e specializuar për shitjen e veturave klasike, RK Motors.

Fotografitë zbulojnë gjendjen e përsosur të eksterierit dhe interierit të këtij modeli sportiv 46 vjeçar. Eksterieri i tij është me ngjyrë të kuqe origjinale e me disa dekorime me ngjyrë të zezë.

Pavarësisht kilometrave të kaluara, gjendja e Plymouth ‘Cuda nuk duhet të na çudisë edhe shumë. Në fakt, ky model deri më tani ka të kaluara vetëm 3234 kilometra, që nënkupton se ka kaluar vetëm 70 kilometra në vit.

Sa i përket çmimit, Plymouth ‘Cuda e vitit 1971 shitet me çmim prej 1.3 milion dollarë.

Blerësi potencial së bashku me veturën do të marrë edhe të gjitha dokumentet të cilat vërtetojnë kilometrat e kaluara dhe autenticitetin e veturës.

Blerja e modeleve të tilla mund të llogaritet si një investim, sepse çmimi i tyre zakonisht shkon duke u rritur.