Copy Code

“Do takonte familjen e të dashurit, por e gjeti veten në një bordello në Belgjikë”, historia e shqiptares së cilës dashuria iu kthye në një makth

“Sapo kam takuar një vajzë shqiptare, e cila ishte trafikuar pa e ditur në Europë” .

Përmes këtij titulli gazetarja Louise Hulland sjell në gazetën prestigjioze britanike “Independent” historinë e “Natashës”, vajzës shqiptare që dashuria iu kthye në një makth sa hap dhe mbyll sytë.

“Imagjino të mbarosh universitetin, të shkosh me pushime për të takuar familjen e të dashurit dhe të gjendesh para tradhtisë, e dhunuar brenda një shtëpie publike gati 1500 milje larg shtëpisë, e detyruar të prostituosh. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me ‘Natashan’ dhe ajo dëshiron të tregojë historinë e saj për të bërë të qartë se kushdo mund të manipulohet nga trafikantët që synojnë të bëjnë dëm”, shkruan Hulland.

Dy vjet më parë, “Natasha” 21 vjeçe, ishte në vitin e fundit të shkollës së lartë në Shqipëri.

Në atë kohë ishte në një lidhje prej disa muajsh me një shok në universitet, “Pjetrin”, dhe ishte entuziaste për një udhëtim që do të bënte drejt Belgjikës.

Ishte hera e parë që do të dilte jashtë Shqipërisë dhe planet mes të dyve ishin që të kalonin disa javë në Europë, ku do të njihej me familjen e të dashurit, për t’u martuar më pas. Por “Natasha” nuk e dinte që ajo do të kalonte vitin e ardhshëm në prostitucion të detyruar.

Ajo që ndodhi me Natashën nuk është aspak e pazakontë. Statistikat janë të frikshme. Gjatë pesë viteve të fundit, 89 milionë njerëz përjetuan një formë skllavërie moderne, sipas raportit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës 2017.

Ky raport i njëjtë deklaroi se në çdo ditë të caktuar të 2016, 40 milionë njerëz ishin viktima të skllavërisë moderne – me rreth 25 milionë njerëz në punë të detyruar. Gratë dhe vajzat përbënin 71 për qind të viktimave moderne të skllavërisë.

Edhe pse “Natasha” ajo ka qenë e sigurt në Britaninë e Madhe për më shumë se një vit, ajo nuk mund të përmbajë lotët kur i duhet të rikujtojë përvojën e saj të hidhur.

“Jam përpjekur shumë, shumë për ta fshirë nga kujtesa. Por ndonjëherë më kthehet mbrapsht e gjitha”.
Kur mbërriti në Belgjikë, “Pjetri” e kishte marrë atë në shtëpinë e një shoku. “Ai më tha, rrëfen “Natasha”, “unë nuk do të kthehem më. Ti do të jetosh këtu, pastaj do ta shohësh vetë çfarë do të ndodhë”.

“Pjetri” u largua nga shtëpia dhe kurrë nuk e pa më. Atë natë, ajo u çua në një dhomë gjumi me një burrë që nuk e kishte takuar kurrë më parë. Ai u bë klienti i saj i parë.

Fillimisht, Natasha ishte e shokuar. Shpejt kaloi në pesimizëm dhe depresion. Ndërsa klientët vinin dhe iknin, shpresat e saj veniteshin. Ajo u përpoq të merrte kontrollin e situatës duke refuzuar të kujdesej për veten me shpresën se burrat nuk do ta zgjidhnin atë kur të vinin në shtëpi.

Muaj më vonë, “Natasha” zbuloi se ishte shtatzënë. Ishte shumë vonë për të abortuar dhe pengmarrësit e saj, i thanë se do të punonte sërish, pasi të lindte fëmijën.

“Duhej të bëja diçka që të dilja nga ajo situatë”, thotë ajo. “E vetmja gjë që kisha në mendje ishte të ikja nga ai vend. Isha e gatshme të bëja gjithçka për t’u larguar”, rrëfen ajo.

Një mbrëmje vere, kur ishte 7 muajshe shtatzënë, iu dha rasti për t’u arratisur. Njerëzit që jetonin me të nuk e kishin mendjen dhe Natasha ia doli të ikte nga shtëpia publike dhe të largohej. Mori ç’të mundej dhe pasi “eci për gati një orë”, ia doli të ndalojë një kamion. Shoferit i tha se nuk kishte rëndësi se ku shkonte. Iu lut ta merrte me vete, kudo që të kishte rrugën.

Orë më vonë, dyert e kamionit u hapën dhe “Natasha” kuptoi se kishte hyrë në Britaninë e Madhe. Nuk di të tregojë në çfarë vendi e la shoferi, por thotë: “Ishte fati im i mirë që më ndihmoi”.

Duke e rikujtuar këtë moment, “Natasha” shpërthen.

“Nga çfarë kisha parë në televizione për Britaninë e Madhe… isha shumë larg… kisha shkuar kaq lar… ndaj po mendoja për familjen time… dhe për foshnjën në bark”.

Foshnja e saj lindi në mënyrë të sigurt dy muaj pas mbërritjes së saj në Britani. Tani po bën gati 18 muaj që “Natasha” u arratis nga tutorët e saj dhe pasi mori mbështetje nga Hestia, një organizatë që punon me viktimat e skllavërisë moderne në bashkëpunim me Ushtrinë e Shpëtimit, ajo ka filluar të rindërtojë jetën e saj në një mjedis të sigurt.

Ribashkimin me familjen e saj në Shqipëri e sheh me dyshim pasi ka frikë nga gjykimi i tyre.

“Natasha” ende nuk mund të punojë pasi ajo është ende në pritje të një vendimi për statusin e saj të azilit, kështu që e ardhmja e saj është ende e paqartë.

Megjithatë, përkundër ndjeshmërisë së saj, “Natasha” zgjodhi të flasë për hidhërimin e saj në mënyrë që t’i tregonte botës se kushdo mund të bjerë viktimë e skllavërisë moderne. /oranews.tv/