Dy Intervistat e Gruevskit

(Beteja e tij për zemrat dhe mendjet e shqiptarëve)

Dhjetë vite Gruevski i shpërfilli mediat dhe qytetarët Shqiptarë; dhe mu para zgjedhjeve lokale shfaqet në dy televizione: Alsat-M dhe TV Klan të Kosovës. Kjo flet ashiqare se Gruevski ka një hatërmbetje ndaj tyre. Jo se është bërë pishman për të bëmat e veta gjatë sundimit. Nuk ka ndryshuar as qëndrimet, stereotipet, paragjykimet ndaj tyre, as sjelljen e tij, por, i ka mbetur hatri se i humbi zgjedhjet mu nga vota e tyre. Thënia thotë: ujku i ndërron qimet por, jo edhe huqet.
Këtu dështoi ekipi i tij për Marrëdhëniet me Publikun. Një dekadë, ky i dehumanizoi shqiptarët me bekimin e BDI’së, e cila për aq kohë mbeti qorre dhe shurdhmemece; përderisa ky i nëpërkëmbi dhe i dehumanizoi, duke i zhvesh nga çdo vlerë njerëzore: besimi, dinjiteti, burrëri; besnikërie, … herë i animalizoi (mostra), herë i objektivizoi (duke i thirrur në vetën e tretë (ato, ata), pa ua emëruar identitetin kombëtar; në fakt këta ishin pa kurrfarë identiteti, thjesht numra për manipulim. Por, siç thoshte rahmet pastë për së gjalli, nallban Selman Shishko: çdo zullumi i vjen fundi. Edhe fundi i Gruevskit erdhi, mu nga ata që i përdhunoi fiziko-shpirtërisht për dymbëdhjetë vite !!!. Kështu u ndërtua ky regjim me një nacionalizëm etnik agresiv, enkas dhe me theks të veçantë, kundër etnisë shqiptare. Kjo ishte arma e fuqishme që e ushqente dhe ndërtonte nacionalizmin shoven të VMRO’së, gjithmonë duhet ta theksoj, me ndihmën e madhe dhe me aminin e “patriotizmit dhe kombëtarizmit” të BDI’së.
Regjimi për një dekadë ushtroi luftë të egër psikologjike, vetëm kundër shqiptarëve, mu para syve të BDI’së. Ky i fundit bënte qejfe dhe orgji seksuale nëpër institucionet shtetërore, ndërkaq, VMRO’ja bënte orgji duke i përdhunuar shqiptarët shpirtërisht dhe fizikisht.
Gruevski nuk i ka ndryshuar qëndrimet, paragjykimet, sjelljet dhe stereotipet ndaj shqiptarëve; ai as që ka pritur rrënimin e regjimit të vet nga shqiptarët; sepse, siç e pamë vota e tij nacionaliste ishte akoma monolite. Pra, vota shqiptare e çoi në opozitë, dhe ky ka qenë gabim trashanik i stafit të vet të Marrëdhënieve me Publikun. Nga urrejtja e madhe, fare s’i kanë bërë hesap.
Pas shijes së hidhur të humbjes së pushtetit, ai e ndjen nevojën, dhe i drejtohet publikut të gjerë shqiptar. Normalisht se i duhen kanalet e komunikimit me ta, të cilët vet i mbajti kyçur dymbëdhjetë vite. Dy intervistat duhet ta përmirësojnë ose ta ndreqin gabimin. Duhet pranuar se intervistat ishin të organizuara mirë nga stafi i “Marrëdhënieve me Publikun” sidomos, nga ai me Marrëdhëniet me Median. Dhe dalloheshin. E para ishte badihava, e dyta jo. Të parën Gruevski e fitoi bindshëm (ngaqë, gazetari e kishte konceptuar intervistën si betejë pehlivanësh!); i ngrati i sulej mysafirit me emocione të tepruara dhe fare pa përgatitje; sa më shumë vërsulej me emocione të shfrenuara, aq bëhej më i gjorë dhe qesharak; ndërsa Gruevski i përgatitur boll mirë nga stafi i vet (me siguri edhe me ndonjë hap për qetësim), ia mori frenat intervistuesit dhe e udhëhoqi intervistën, … sa që me një çast, gazetari i hutuar ia futi kot:” mirë pra, le ta vazhdojmë debatin”!!!!. Çfarë të thuhet më shumë për gjendjen mizore të gazetarisë sonë,… Nganjëherë doemos të pajtohem me Ali-baksuzin, kur thotë se: “kaq e kemi kaçikun, nuk kemi kuadro”.
Për t’i ikur frymës armiqësore të së parës, intervista e dirigjuar mirë në TV Klan-Kosova, rrodhi në frymë miqësore, qytetare, e relaksuar, me pyetje të përgatitura nga stafi i Gruevskit; siç e la të kuptohet vet gazetari, kur tha në fund se pyetjen e parë që kishte dashur ta bëjë “Pse i urreni shqiptarët ?”, e cila ishte plot sarkazëm dhe ironi ndaj Shqiptarëve të Maqedonisë; pra, e kishte lanë qëllimisht për fund të intervistës, edhe atë në formë shakaje duke i veshur simpati një regjimi brutal.
Qëllimi i Gruevskit në këto dy intervista nuk ishte se ai merakoset për mediat dhe se “nuk i bën cërr veshi” për votën e shqiptarëve, edhe pse gjatë tërë kohës përpiqej të shfajësohej dhe të arsyetohej para publikut të gjerë. Atë e solli para tyre, halli i madh dhe zori. Atij fare nuk i duhen votat e tyre. Qëllimi i dy intervistave ishte që t’i largojë votuesit shqiptarë nga Zaevi dhe LSDM’ja e tij. Tërë kohës lëshonte kumtesa propagandistike, duke përsëritur se “henës do ta shohin “ata” se Zaevi është gënjeshtar dhe mashtrues politik”. Ai paragjykonte ashiqare, se Zaevi nuk ka besë dhe se do t’i pres në besë shqiptarët.
Këto kumtesa kanë vetëm një qëllim: ta izolojnë Zaevin nga shqiptarët. Ai bëri apel, duke dashur të krijojë huti përmes relativizmit të dy personave, me aludimet se Zaevi nuk i urren më pak shqiptarët se Gruevski; ose, se Gruevski nuk i do më pak shqiptarët se Zaevi; në fakt ata të dy janë të njëjtë dhe se nuk ka dallim midis tyre; prandaj, shporruni nga Zaevi. Mbani Alinë, Selën, Bilalin, Rexhep tipin, Aliosmanin, Abdylhamidin, Nazmifikretin… kë të doni. Shporruni dhe mbylluni brenda gardhit tuaj. Na leni rehat që ta sundojmë Maqedoninë. Kumtesat e përsëritura të Gruevskit, kishin për qëllim të krijojnë huti, ta relativizojnë personalitetin e Zaevit dhe ta rrënojnë moralin dhe shpresën e shqiptarëve tek koncepti politik i Zaevit; dhe aman, të mos e përsërisin mbështetjen me vota edhe në zgjedhjet komunale. Vetëm kaq!

Shaqir Islami