Dy shqiptarë sonte vëzhgohen nga klube të Serie A

Ndeshja e ëndrrave me Italinë në stadiumin Loro Borici të Shkodrës ndaj Kombëtares Italiane, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018, do të jetë një shans i shkëlqyer edhe për lojtarët e Kombëtares shqiptare.

Në fakt janë të shumtë emrat e talenteve që angazhohen në skuadrën e Panuccit që do të vëzhgohen ne detaj nga agjentët e Serisë A.

Kombëtarja ka në përbërje të saj emra të shumtë që mund të ndjekin rrugën e Berishës, Strakoshës, Ajetit apo Hysajt.

Për sfidën me Italinë Panucci, mendon një Shqipëri me mesfushë  të  dendur ku spikat prezenca e Bashës dhe Memushajt që luajnë në Itali, ndërkohë i vetëm në sulm do të jetë Sadiku.

Sulmuesi i Legia Varshavës do të jetë një ndër emrat që do të monitorohet me më  shumë  kujdes nga agjentët italianë. Në fakt Sadiku ishte pranë transferimit te Sampdoria në  merakton verore të  2016, por kërkesat e larta të Zyriut bënë që akordi të mos arrihej, shkruan Supersport.

Por,  Sampdoria nuk është klubi i vetë m italian që ka lakuar emrin e sulmuesit tonë 26 vjeç: Edhe Kievo është vënë në gjurmët e tij, duke qënë se në muajin janar me shumë propabilitet do t’i duhet të bëjë llogaritë edhe me largimin e Ingleses.

Nga ana tjetër Eros Grezda talenti i sulmit 22 vjecar, mund të zbarkojë te Genoa në të ardhmen e afërt. Aktualisht Grezda luan me Osijekun e Kroacisë , ku u transferua nga Lokomotiva e Zagrebit për rreth 1 milionë euro.

I shpejtë  në duelet direkte dhe i paparashikueshëm, Grezda mund të jetë një alternativë interesante për të ardhmen e sulmit të Genoas. Gjithashtu, ai është në vëzhgim edhe të Lazios, ku drejtori sportiv Igli Tare, është gjithnjë vigjilent ndaj talenteve të rinj shqiptarë.