Ekskluzive: Flet kandidati nga Lëvizja Besa për komunën e Bërvernicës,Selatin Jusufi

 Selatin Jusufi, është lindur më 30 prill 1980 në Tetovë. Rrjedh nga një familje tregtare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme në Gjimnazin Kiril Pejçinoviç- Tetovë. Studimet i kreu në vitin 2005 në FTG- Ohër, si student i dalluar. Është menaxher i diplomuar për doganë dhe shpedicion, kuadri i vetëm në këtë fushë në Komunën e Bërvenicës. Që nga koha e studimeve (viti 2002) deri sot menaxhon biznesin familjar, kompaninë për transport ndërkombëtar HA-TI Trans. Gjatë periudhës qershor 2014- mars 2017, ka qenë menaxher i Agjencisë doganore BE-DA SHPED- Shkup. Është pjesëmarrës i shumë trajnimeve profesionale brenda dhe jashtë vendit. Është komunikativ, ka shkathtësi për punë ekipore, ka qenë pjesë e shumë iniciativave dhe aktiviteteve qytetare. Është i martuar, prind i një djali 14- vjeçar. Është sportdashës, një pjesë të tokës së tij bujqësore e ka dhenë në shfrytëzim për nevojat e KF BESA. Jeton në fshatin e lindjes. Është anëtar i Lëvizjes BESA që nga themelimi dhe kryetar i Degës së Lëvizjes BESA në Komunën e Bërvenicës. 

Kumanovapress:Cila është arsyeja e kandidimit për kryetar të komunës së Bërvernicës?

Seleatin Jusufi: Arsyet e kandidimit tim për kryetar të Komunës së Bërvenicës janë të shumta, nga të cilat do ti veçoja tri arsye: dashuria për vendlindjen dhe popullatën e saj, vizioni dhe programi i Lëvizjes BESA, përgatitja profesionale dhe përkushtimi i anëtarësisë dhe shumicës së popullatës shqiptare për fillimin e një jetë me të mirë. Në fillim jo rastësisht përmenda dashurinë për vendlindjen sepse të gjitha punët e mëdha dhe të dobishme kanë nevojë për dashuri, sinqeritet dhe përkushtim. Kam pranuar që të kandidoj për Lëvizjen BESA, sepse unë ndaj të njëjtat ide dhe përcaktime, sepse ajo dallon nga subjektet tjera të skenës politike, gjë që e ka dëshmuar gjatë rrugëtimit të saj. Qytetarët e Komunës së Bërvenicës nën drejtimin e Lëvizjes BESA do të fitojnë një jetë me të mirë dhe për ketë garanci me e mirë janë lista e këshilltarëve, ku çdonjëri është më i mirë dhe më i përgatitur se tjetri.

Kumanovapress: Cila është oferta juaj, çfarë do të ndërmerrni në këtë komunë nëse zgjidheni për kryetar të Komunës së Bërvenicës?

Seleatin Jusufi: Oferta jonë politike është shumë e veçantë dhe e larmishme. Ajo nuk është një listë e mbushur me premtime të cilat do të përfundonin më 15 tetor 2017. Ne kemi hulumtuar të gjithë terrenin dhe kemi bashkëbiseduar me qytetarët dhe kemi evidentuar të gjitha problemet me të cilat përballet popullata e të gjitha vendbanimeve dhe në bazë të kësaj kemi përgatitur ofertën tonë politike. E veçanta në ofertën tonë është shoqërimi i çdo projekti me planin dhe afatin e realizimit. Shpresojmë që qytetarët të dijnë të dallojnë premtimet parazgjedhore të oponentëve tanë dhe programin e mirëfilltë.

Kumanovapress: Cila do të jetë iniciativa e parë që do ta iniconi në rast se fitoni?

Seleatin Jusufi: Iniciativa e parë si kryetar i ardhshëm i Komunës së Bërvenicës do të jetë skanimi deri në detaje i gjendjes së përgjithshme me qëllim që të dalin në sipërfaqe të gjitha parregullsitë dhe të fillojmë me sajimin e tyre. Me të gjithë përgjegjësit për parregullsitë dhe veprat e mundshme kriminale do të veprohet në bazë të dispozitave ligjore. Ky skanim i gjendjes do ti përfshijë të gjithë sektorët dhe institucionet që janë nën administrimin e Komunës së Bërvenicës.

Kumanovapress: Për cfarë kanë nevojë më së shumti banorët e Bërvenicës?

Seleatin Jusufi: Qytetarët e Komunës së Bërvenicës kanë nevojë për shumë gjëra. Ato përballen me mungesë të kushteve elementare, si ujë të pijshëm, rrugë të dëmtuar, papunësi të lartë, shkolla që nuk plotësojnë kushtet optimale, mungesën e kanalizimeve, deponitë e egra, mungesën e hapësirave për sport dhe rekreacion, etj. Me zgjidhjen e këtyre problemeve shpresojmë se do ta lehtësojmë jetën e qytetarëve, gjë që do të ndikonte në zvogëlimin e largimit të rinisë shqiptare nga Komuna e Bërvenicës.

Kumanovapress: Çfarë ju premtoni banorëve të komunës së Bërvenicës?

Seleatin Jusufi: Qytetarëve të Komunës së Bërvenicës ju premtoj përkushtim në punë, bashkëpunim të ngushtë dhe të hapur për të gjitha problemet, rritje të cilësisë së jetesës, arsimit dhe administratë komunale efikase dhe në shërbim të qytetarëve, transparencë maksimale. Me votën e tyre për Lëvizjen BESA, qytetarët e Bërvenicës përcaktohen për një jetë me të mirë. Çdo votë e tyre është amanet për ne.