Ekskluzive: Ja çka i shkruajnë Zaevit familjarët e Grupit të Kumanovës një ditë para vizitës në Prishtinë!

Familjarët e Grupit të Kumanovës, përmes një letre të hapur i janë drejtuar kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, në prag të vizitës që ai do të realizojë nesër në Kosovë. Përmes kësaj letre, të cilën ekskluzivisht e boton Gazeta Lajm, familjarët e Grupit të Kumanovës kërkojnë rigjykim dhe një proces të ri gjyqësor që shpresojnë se do të jetë më objektiv. Në vijim u sjellim përmbajtjen e plotë të kësaj letre publike:

Me rastin e vizitës së kryeministrit te Maqedonisë në Kosovë, z.Zoran Zaev, ne familjarët e rastit “Kumanova”, e mirëpresim dhe shpresojmë që ky takim ndërmjet dy liderëve kryesor të këtyre dy shteteve, do të jetë frytdhënës në ndërtimin e marrëdhënieve të mirëfillta fqinjësore, në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy popujve, duke shpresuar që këto marrëdhënie të çojnë edhe deri tek zbardhja e rasteve të montuara kundër shqiptarëve autoktonë në tokat e tyre.

Tashmë botërishte dihet që këta djem të njohur në Kosovë për ideale të larta kombëtare, janë keqpërdorur nga politika, duke u ftuar kinse për t’u dal në ndihme bashkekombasve të tyre, e më pas dihet si rrodhën ngjarjet dramatike e tragjike, që shkaktuan pasoja të mëdha për të gjithë ne, që u prekëm nga kjo histori.
Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për fatin e bijve tanë dhe shpresa jonë mbështetet në qeverinë e re të Kosovës, faktorin ndërkombëtar, si dhe në frymen e re të politikës së tanishme në Maqedoni. Shpresojmë që të gjithë keta bashke, do te nxjerrin ne drite gjithe këta mistere që e rrethojnë krejt këtë ngjarje përmes një rigjykimi të ri.
Këshilli i familjarëve të rastit te Kumanovës!