Eksperimenti i belges për t’u konvertuar në Islam e tronditi shoqërinë e saj!

Silke Raats nga Atwerpen-i (Belgjikë) pati bërë në plan që për tridhjetë ditë të jetojë si muslimane.
Megjithatë, Silke, e cila studion teknologjinë laboratorike të farmacisë në Kolegjin ‘Karel de Grote’ në Hoboken, është detyruar ta ndërpresë eksperimentin vetëm pas dhjetë ditëve.

Ajo tha për VRT News se është tronditur nga reagimet e njerëzve. “Ata thjesht kalonin pranë meje, pa më përshëndetur.”

Silke është 21 vjeç, flamane, dhe vjen nga një familje katolike. Kohë më parë ajo vendosi që të kryejë një eksperiment social. Asaj i është dashur që për një muaj të paraqitet si e konvertuar në Islam, e të jetojë në përputhje me Islamin.

Silke ecte rrugëve të Antwerpen-it e veshur me hixhab, dhe formën e jetës e pati përshtatur sipas kërkesave islame. Pasi nuk pi alkool dhe është vegjetariane, forma e të ushqyerit nuk i pati sjellë shumë probleme. Silke kishte mësuar si ta falë namazin, dhe filloi ta mbajë hixhabin; kjo mjaftonte për t’i bindur ata përreth se ajo qe konvertuar në Islam. Por reagimet e kolegëve dhe të afërmve të vet qenë tronditëse.

“Të gjithë më shpërfillnin. Ata mendonin se unë do të shkoja në Siri. Shumë njerëz kanë një qëndrim ‘ne dhe ata’. Këtë verë kam ndihmuar refugjatët në parkun Maximilian. Shumë njerëz kishin reagime të çuditshme për punën time. Ata më thonin të jem e kujdesshme ,sepse ata janë xhihadistë. Sipas tyre, të mbash hixhab është njëlloj sikur të shkosh në Siri.”

Me eksperimentin e saj social, Silke Raats kishte vendosur t’i tregonte botës se veshja e hixhabit dhe ekstremizmi islam nuk janë e njëjta gjë. Atë e ndihmoi një mikeshë nga Ghent University, e cila aktualisht është e përfshirë në hulumtimet mbi reagimet ndaj sjelljeve që devijojnë nga norma.

Familja dhe miqtë e saj nuk e kanë ditur se ky ishte një eksperiment.

Sapo e pati ndryshuar foton e profilit në Facebook, miqtë e saj e kishin mbërthyer me pyetje. “Ata më pyetnin se a jam konvertuar në Islam, a është i dashuri im musliman, dhe a jam e vetëdijshme se kurrë nuk do të gjej punë,” tregon vajza. Nuk munguan edhe komentet negative. “Ajo është e çmendur”, ose, “në të kanë ndikuar refugjatët dhe miqtë e saj muslimanë”, etj.

Silke thotë se miqtë filluan ta shpërfillin, madje edhe ata që e kishin njohur prej vitesh, e me të cilët shkonte në pushime.

Përpjekjet e saj për t’ua shpjeguar njerëzve se kishte mbetur e njëjta Silke ishin të pasuksesshme. Për fat të keq, komentet pozitive nga familja dhe miqtë e saj ishin të pakta.

“Kam planifikuar të bëj një film në lidhje me përvojat e mia, por pasi reagimet gjatë ditëve të para ishin aq negative, pas dhjetë ditëve vendosa ta ndaloj eksperimentin,” tregoi 21-vjeçarja për Gazet van Antwerpen-in.