Emine Murati, gjyshja “heroinë”, që kujdeset për tre nipërit e saj (Video)

Mungesa e përkujdesjes prindërore e ka detyruar 76 vjerçaren Emine Muratin, që të përkujdeset për tre nipërit e saj, duke e kthyer rrëfimin e saj në një dramë të vërtetë.

Problemet në mes të të birit dhe bashkëshortes së tij, bën që ky çift të heq dorë totalisht nga kujdesi ndaj tre djemve. Gjyshja 76 vjeçare, tash e nëntëvite e vetme dhe me probleme serioze shëndetësore, luan rolin e nënës për Pajazitin, Muratin dhe Gëzimin.

Ajo ka treguar për Telegrafin se jeta të cilën e jetojnë është e rëndë dhe me shumë vështirësi.

“Kush më sjellë të holla me ato shërbehem. Vetëm për këta fëmijë po mundohem. Po më sjellin ushqime dhe rroba. Miellin kush ma sjellë, e dërgoj në furrë dhe marrë bukë, sepse nuk mund të gatuaj. Drutë për dimër mi kanë sjellë, e që i falënderoj pamasë. Kush më ka ndihmu, Allahu me lugë prej ari ia mundësoftë të hajë”, ka shtuar Emine Murati.

Më tutje ajo ka thënë se deri vonë fëmijët kanë fjetur në beton, po falë ndihmave të ndryshme, ka arritur ta rregulloj dhomën me dritare dhe ta shtroj dyshemenë.

“Unë jetën time po ua kushtoj këtyre djemve”, ka thënë ajo.

Ndihmat e bamirësve dhe njerëzve të vullnetit të mirë, janë i vetmi burim që iu mundëson atyre mbijetesën, të cilët ajo i uron dhe falënderon nga thellësia e zemrës.

Shtëpia e tyre ndodhet në lagjen “Kadri Zeka”, në Kodër të Trimave. Të gjithë të interesuarit mund ta kontaktojnë Emine Muratin, në këtë numër të telefonit: 044-953-342.