Fryma jonë e re, penguesit dhe Maqedonia shqiptare

Pas dështimeve disadekadëshe, pas vasalizmit të turpshëm që nuk na u hoq qafe dhe na është ngjitur si fat politik, ne të rinjtë e kohës sonë, donim të bënim politikë më ndryshe. Pra donim të dëshmojmë se ky popull ka kapacitete shtetformuese e shtetëdrejtuese dhe se ka kaluar koha e partive shqiptare të cilat nuk prodhonin politikë, por vraponin pas projekteve të partive maqedonase dhe pas ngjarjeve që ua kurdisnin qarqet policore e politike maqedonase, edhe atë vetëm që shqiptarët të merreshin me vetveten dhe të mos shihnin se ç’lojëra u kurdiseshin.

Dhe duke dashur të dëshmoheshim se jemi ndryshe nga pararendësit tanë të partive shqiptare – të cilët s’mund të shkonin më larg se të bëheshin shërbëtorë të burrështetasve maqedonas – ne edhe e quajtëm vetveten ‘besatar’ që ishim besatuar se kurrë nuk do lejonim që suksesin personal ta mbështesnim mbi dështimin kolektiv. Ne u nisëm udhës politike të prirë nga bindja se para se të bëhemi burrështetas të Maqedonisë do duhet ta departizojmë, ta depolitizojmë dhe ta ndërprejmë kriminalizimin dhe akulturimin e shoqërisë tonë shqiptare në këtë vend.

Ne jemi dhe ishim të gatshëm t’i përballnim pengesat që do na vinin nga qarqet politike policore maqedonase, ne e dinim se shumëkush do na pengojë në orvatjet tona për ta ndërtuar edhe Maqedoninë shqiptare, por pa e ditur se në këtë rrugëtim tonin, pengesë do jenë edhe shqiptarët mendjendritur me bindje qytetare të LSDM-së maqedonase.

Duke e ditur se demokracia është edhe mundësi ku çdonjëri bën zgjedhjen që do, se çdonjëri mbanë përgjegjësi për veprimtarinë e vet, ne besatarët e Lëvizjes BESA, e vazhdojmë rrugëtimin tonë politik tutje të bindur se edhe leninistët e BDI-së, njësoj si edhe ‘titistët’ shqiptarë të LSDM-së, një ditë do e kuptojnë se ne nuk jemi ardhacak të rastit politik, por se jemi e ardhmja e politikës shqiptare në këtë vend.

Dhe duke qenë çdonjëri atë që është, dhe duke bërë çdonjëri atë që dinë dhe atë që mund t’ia bart ndërgjegjja, ne BESAtarët e rijnë të Lëvizjes BESA do vazhdojmë t’i luftojmë dukuritë negative, që kanë për qëllim zhbërjen e potencialit politik shqiptarë. Kështu që nuk mund të shtiremi se nuk e vërejmë që LSDM-ja, nëpërmjet shqiptarëve të saj të infiltruar në bllokun politik shqiptar, ka për qëllim para së gjithash ta dobësojë Lëvizjen BESA, ngaqë e din se me të e dëmton të ardhmen politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Andaj, të gjithë atyre që vetëgënjehen se gjithë ne jemi shqiptarë që profesin të vetëm kemi përkatësinë etnike, të gjithë qarqeve politike maqedonase që na duan si qytetarë, por jo edhe si shqiptarë, ne ‘besatarët’ u themi shkurt e shqip: çdo kohë ka pasur fëmijët e saj të gabuar, madje edhe shqiptarë që e kanë dëmtuar shqiptarinë, por gjithashtu, në të gjitha kohët ka pasur njerëz që si yll polar, kanë ditur ta tregojnë kahen e udhëtimit tonë kolektiv, për të mirën e përgjithshme tonën si shqiptarë në këtë vend.

Shkruan:Muxhahid ISMAILI