Izraeli arreston 35 palestinezë në bastisjet gjatë natës

Shoqata e të Burgosurve Palestinezë ka bërë të ditur se ushtria izraelite në bastisjet gjatë natës ka arrestuar 35 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, raporton Anadolu Agency (AA).

“Forcat e ushtrisë izraelite arrestuan 22 palestinezë, pas bastisjes së shtëpive të tyre në fshatin Kasra pranë Nablusit në pjesën veriore të Bregut Perëndimor. Shtatë të tjerë u arrestuan nga qytetet qendrore dhe veriore të Bregut Perëndimor, në Ramallah dhe Jenin”, njofton Shoqata e të Burgosurve Palestinezë.

Sipas kësaj shoqate, ushtria izraelite gjithashtu ka arrestuar gjashtë palestinezë nga Jerusalemi i okupuar Lindor. Ushtria izraelite shpesh herë zbaton fushata të gjera të arrestimit në Bregun Perëndimor me pretekstin për hetimet rreth “palestinezëve të kërkuar”.

Sipas shifrave zyrtare palestineze, mbi 6.400 palestinezë aktualisht janë në paraburgim në të gjithë Izraelin.

Ndryshe, arrestimet e fundit vijnë mes tensioneve në territoret palestineze pas vendimet të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur zyrtarisht Jerusalemin si “kryeqytet të Izraelit” dhe për zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Jerusalemit Lindor dhe shpalljen e tij si kryeqytet.