Jeta e një profesori të pensionuar që “u braktis” nga shteti (Video)

Dikur ligjëronte para biologëve e ekologëve të së ardhmes në Kosovë. Tani, pensioni nuk i mjafton as për të blerë ndonjë botim më të ri në këto fusha.

Në banesën e tij katërdhomëshe në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pensionisti Esat Dauti shfleton me kujdes një nga botimet e reja në fushën e biologjisë, që ia kanë dhuruar fëmijët e tij.

Për vite të tëra ka dhënë mësim për këtë lëndë në shkolla të mesme në Pejë, Gjakovë, e Ferizaj, ndërsa për afro 30 vjet ka ligjëruar lëndën e Ekologjisë në Katedrën e Biologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Tetëdhjetëvjeçari kujton me nostalgji kohën kur ligjëronte në këtë universitet.

“Ka qenë vullneti i madh për punë. Edhe gjithmonë jo vetëm vullnet i madh prej kuadrit arsimor, por edhe studentët kanë pasur motiv”, thotë ai.

Për dallim prej më shumë se 100 mijë të moshuarve që marrin pensione të moshës në vlerë prej 80 eurosh në muaj, rreth 40 mijë pensionistët kontribut-dhënës merrnin 140 euro deri në vitin 2016, kur Qeveria e Kosovës vendosi të bëjë kategorizimin e pensionistëve në Kosovë.

Me këtë kategorizim, baza e pensionit kontribut-dhënës në Kosovë u bë 158 euro, kurse më i larti 240 euro.

Por, ish-profesori i Ekologjisë e cilëson si të padrejtë një kategorizim të tillë.