Lëvizja BESA: Vazhdojnë kërcënimet për jetën e Nexhbedin Kahremanit

Ashtu siç paralajmëroi vetë para disa ditësh, ushtruesi i detyrës kryetar i Lëvizjes BESA, Nexhbedin Kahremani, se ka kërcënime serioze për jetën e tij dhe të familjarëve të tij, sot ka informacione se një grup i njerëzve të dhunshëm, disa nga të cilët ishin edhe ndër dhunuesit e selisë në Shkup, do ta sulmojnë ambulancën e dr. Kahremanit.

Lëvizja BESA njofton se për këtë arsye kërkojnë përsëri nga organet e rendit që të ndërmarrin masa dhe ta mbrojnë Kahremani, i cili pos tjerash e gëzon edhe imunitetin e deputetit.

Këtu dëshirojmë të theksojmë se nëse dikush ka marrë mandat deputeti në shpinë të dikujt në Lëvizjen BESA, ai sigurisht nuk është zëtëri Kahremani, por mund të jetë dikush nga ata që sot e organizojnë këtë presion ndaj u.d. kryetar i Lëvizjes BESA.

“Me këtë rast i ftojmë edhe të gjithë aktivistët e denjë të Lëvizjes BESA që mos të bien pre e këtyre provokimeve, sepse ato së shpejti do të kalojnë dhe BESA do të dalë edhe më fuqishme seç ka qenë. Ky është vetëm një proces pastrimi nga materialet që nuk kanë mundur ta durojnë qëndrimin stoik të Besës”, theksohet në njoftimin e Lëvizjes BESA.