LSDM dhe BDI “ia vënë syrin” Ministrisë së Shëndetësisë (Video)

BDI dhe LSDM ia kanë vënë syrin Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas burimeve partiake këto dy parti duket që janë bërë pishman që këtë dikaster ia kanë ndarë Aleancës për Shqiptarët dhe pas zgjedhjes së Arben Taravarit për kryetar në Komunën e Gostivarit, ka tendenca për ndryshim të dikastereve. Sipas këtij skenari, BDI dhe LSDM dëshirojnë që Aleancës t’ia marrin Ministrinë e Shëndetësisë dhe në vend të saj t’i japin një ministri tjetër, si dhe postin që e ka lëshuar Ramiz Merko, atë të ministrit pa resor për investime të huaja.

Nga LSDM nuk kanë precizuar një gjë të tillë, por kanë lënë të hapur mundësinë e shkëmbimit të posteve ministrore mes partnerëve të koalicionit. Dyshimet për një skenar të tillë i kanë rritur edhe taktizimet e kreut të LSDM-së Zoran Zaev, i cili ende nuk ka precizuar fatin e kabinetit qeveritar, si dhe nga përgjigja që sekretari gjeneral i LSDM-së, Aleksandër Kiracovski dha për Televizionin Shenja, në pyetjen nëse vendi i Merkos do të zihet nga Lube Boshkovski dhe nëse Aleanca do të vazhdojë ose jo të jetë pjesë e Qeverisë.

ALEKSANDËR KIRACOVSKI, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I LSDM-SË

“Jo ai vend nuk mund t’i takojë as Boshkovskit e as dikujt nga LSDM. Ai post ashtu si edhe Ministri i Shëndetësisë, janë lënë për t’u shqyrtuar me partnerët e koalicionit, si dhe me Aleancën. Me partnerët jemi duke biseduar dhe së shpejti presim të ketë një zgjidhje për plotësimin e dy posteve të zbrasta. Atëherë do të dihet edhe cili partner cilin dikaster do ta udhëheqë”

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se mbeten në marrëveshjen e parë që kanë arritur me LSDM-në për bashkëqeverisje dhe janë në pritje të thirrjes së seancës në të cilën do të zgjidhet ministri i ri i Shëndetësisë. Nga kjo parti thonë se në momentin që do të thirret kjo seancë ata do të publikojnë edhe emrin e ministrit dhe do të kontribuojnë që sa më shpejt të tejkalohet situata.

ALEANCA PËR SHQIPTARËT

“Jemi të gatshëm të vazhdojmë me atë marrëveshje që kemi pasur, emri i ministrit do të bëhet publik në momentin që do mblidhet shumica parlamentare, ajo është vetëm çështje praktike. Çfarë varet prej nesh jemi të gatshëm ta bëjmë, por nuk varet vetëm prej nesh se kur do të mblidhet shumica. Jemi të gatshëm të kontribuojmë ta shpejtojmë këtë proces sepse na presin punë shumë më të rëndësishme. Nuk është në interes tonë të zhagitet ky proces, sepse ne duam sa më shpejtë ta mbyllim këtë temë dhe të kontribuojmë në çështjet e tjera të cilat e presin vendin dhe qytetarët”

Nga Zyra për Marrëdhënie me Opinionin në Qeveri nuk kanë dashur t’i komentojnë as liferimet partiake, por as vetë bisedimet për kompletimin e kabinetit qeveritar, pasi kjo çështje ju është lënë në dorë vetë partive që janë partner në koalicionin aktual qeveritar.