Maqedoni – Greqi, Zaev: nuk kam ndërmend të shesë diçka

“Askush nuk ka kërkuar nga unë ndryshim të emrit të rrugëve ose aeroportit, por nëse dikush më parashtron një kërkesë të këtillë unë jam i gatshëm të bisedoj”. Kështu është përgjigjur kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ndaj zërave që ditëve të fundit po qarkullojnë nëpër mediat vendase dhe ata greke, se kryetari i Selanikut Jani Butaris ka kërkuar që të bëhen këto ndryshime.

“Bëhet fjalë për një takim joformal. Biseduam për gjithçka, u hapën shumë tema. Unë i thash që e pres kohën e duhur dhe se jam i gatshëm që të krijoj marrëdhënieve fqinjësore. Askush nuk kërkoi prej meje ndryshim të emrave të rrugëve ose aeroportit. E di që detyrë kryesore në këtë proces është që të gjejmë një zgjidhje. Dhe jam shumë i sigurt se çështja e emrit do të zgjidhet deri në fund të 2018-tës”, tha Zaev.

Në intervistën e dhënë për portalin Mkd.mk, kryeministri Zaev, shton se është shumë i kënaqur me atë se si kanë ecur zhvillimet deri në këto momente, duke ndërtuar fillimisht marrëdhënie ndërfqinjësore me Athinën dhe kjo sipas tij shihet edhe përmes porosive pozitive që i drejtojnë njëri tjetrit.

Nga ana tjetër, “Severna Makedonia”, “Gorna Makedonia” dhe “Nova Makedonia” (në maqedonisht pa përkthim) janë tre emrat sipas gazetës greke “Real news”, që do të gjenden në tryezë në takimin e Methju Nicimit me negociuesit e të dy vendeve, Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilakis. Në artikullin me titull “Në tryezë tre emra për Shkupin”, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Athinë, gazetari në tekstin e tij për botimin javor të gazetës, thotë se më 19 janar, i dërguari i posaçëm i OKB-së, të dy palëve do t’u prezantojë tre emra. Ndërkohë, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani më 9 janar të 2018-s, e martë do të realizojë vizitë pune në kryeqytetin e Greqisë.

Përndryshe, në lidhje me procesin euro-atlantik të Maqedonisë, më 17 janar të 2017-s në Maqedoni do të vijë sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg e ndërsa Komisioni Evropian i ka përshëndetur aktivitetet e Qeverisë së Maqedonisë për dhënie fund të kontestit 25 vjeçar për çështjen e emrit me Greqinë dhe shpreson se do të shohë rezultate “konkrete”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski i pyetur për mundësinë e ndryshimit të emrit të aeroportit Aleksandri i Madh dhe shtetit Maqedonia gjatë negociatave për çështjen e emrit Maqedoni – Greqi, ka thënë se meqë negociatat po zhvillohen nën patronat të OKB-së, nuk do të nxirren në ankand emra potencial.