Maqedonia pas 3 deri 4 muajve do të pranohet në NATO

Çështja e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO mund të zgjidhet për 3 – 4 muaj. Këtë e ka theksuar një diplomat evropian për RIA Novosti. “Ka përshpejtim të bisedimeve. Për 3 – 4 muaj planifikojmë ti mbarojmë, që do të thotë në vjeshtë”, ka theksuar diplomati europerëndimor. I njëjti diplomat edhe më parë kishte pohuar se Maqedonia mund ti bashkëngjitet NATO-s deri në pranverën e 2018 dhe se autoritetet në Shkup janë të gatshëm për të pranuar ndryshimin e emrit. Ky proces siç mësohet po udhëhiqet me nismën e SHBA-ve.

Lidhur me këtë proces, Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, i cili qëndron për vizitë pune në Bruksel, sot në Qendrën për politika evropiane i prezantoi prioritetet reformuese të Qeverisë së re të Maqedonisë.

Siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme, Dimitrov tha se integrimi në BE paraqet qëllim kyç strategjik dhe se prioritetet reformuese të projektuara me Planin 3-6-9 janë dëshmi për determinimin tonë në realizimin e tij.

“Ky plan është në të vërtetë udhërrëfyes, i cili parashikon dinamikë të aktiviteteve të cilat duhet të mundësojnë perspektivë të kapshme evropiane. Në të njëjtën kohë, ky plan paraqet lakmus-test për vullnetin politik dhe kapacitetin që të ballafaqohemi para sfidave dhe t’i bashkangjitemi trenit të BE-së, i cili po na tejkalon. Dështimet tona duhet të notohen, por sukseset tona duhet të vlerësohen. BE-ja mund të bëjë hap cilësor dhe dallim në rajon. Që të arrijë në këtë qëllim, duhet të ofrojë ‘shkop’ kur të dështojmë, por edhe “karrotë” kur të meritojmë. Ndërkohë, duhet të mbetemi të sinqertë edhe gjatë shpërblimit edhe gjatë kritikave. BE-ja duhet të demonstrojë lidership në politikën ndaj Ballkanit. Kjo është edhe e mundur edhe obligative pasi vendi i Ballkanit është në BE”, tha ministri Dimitrov.

Ai shtoi se qeveria e re reformuese është orientuar nga e ardhmja.

“Ne duhet të ndërtojmë imazh të ri të një shteti demokratik modern, në të cilin institucionet ekzistojnë për qytetarët, dhe jo për elitat, ndërsa ligji të vlejë për të gjithë njësoj. Reformat në shtëpi, janë argumenti ynë më i fuqishëm për qëndrueshmërinë e dosies tonë së BE-së në Bruksel dhe edhe tek shtetet anëtare”, ka thënë Dimitrov.

Në kumtesë theksohet se në kuadër të vizitës Dimitrov ka mbajtur brifing me COREPER ambasadorët dhe përfaqësuesit e përhershëm të vendeve – anëtare në Bruksel. Në takim ministri e ka elaboruar Planin 3-6-9 dhe ka shfaqur shpresë se me realizimin e tij do të hiqen vërejtjet për ngecjen e reformave në disa vitet e kaluara.

Zbatimi i masave, siç qëndron, do të jetë bazë solide për diskutimet e mëtejme në Këshillin e BE-së për zhvillimin e procesit inkuadrues të Republikës së Maqedonisë. Ambasadorët e kanë përshëndetur agjendën reformuese të Qeverisë së re dhe kanë shfaqur shpresë se ajo që është premtuar do të realizohet.

Ministri Dimitrov nesër do të bashkëkryesojë me Këshillin për stabilizim dhe asociim midis BE-së dhe RM-së së bashku me përfaqësuesen e lartë të BE-së dhe nënkryetarin e Komisionit Evropian Federika Mogerini, ndërsa në të cilin merr pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe euroambasadori për Politikë Fqinje dhe Negociata për zgjerim, Johanes Han.