Ndërron jetë në moshën 66 vjeçare aktorja e madhe Hajrie Rondo: “Shiheni jetën me ngjyra”

Aktorja e madhe Hajrie Rondo ka ndërruar jetë para pak minutash në moshën 66 vjeçare në Himarë.

Lajmi konfirmohet nga newsbomb. Muaj më parë aktorja i ishte nënshtruar një operacioni në kokë, vetëm pak kohë pasi fitoi luftën e mundimshme me sëmundjen e kancerit.

Aktorja mori çmimin ‘Simbol i Qytetit’ nga Erion Veliaj ndërsa preku zemrat e të gjithëve kur rrëfeu mes dhimbjes e forcës luftën me sëmundjen e mundimshme.

“I thashë sëmundjes ik tutje se kam pak punë”, u shpreh aktorja duke u kthyer në simbol force e frymëzim për të gjithë.

“Shiheni jetën me ngjyra”. Këto kanë qenë fjalët që aktorja u ka drejtuar të gjithëve.

Mesazhi i aktores dhënë në ceremoninë e marrjes së “Simbolit të Qytetit”:

“Faleminderit që kontributi dhe jeta ime ka qenë në vëmendjen tuaj.

Kur më bënë ofertën, zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, isha në dilemë: Do rri në shtëpi të mbyllem e të bashkëbisedoj me sëmundjen apo t’i them… def, ik tutje se kam pak punë. Zgjodha këtë të dytën dhe ia dola.

Me këtë rol le të kontribuoj pak, meqë është edhe muaji kundër kancerit të gjirit për t’iu thënë grave shqiptare të bëhen të forta. Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë”, thotë aktorja e madhe ndërsa ka recituar edhe disa vargje të mrekullueshme si një mesazh për jetën.

Pavarësisht viteve dhe sëmundjes së rëndë arrin të emetojë gjithë fisnikërinë e hijeshinë që e karakterizon. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma.

Aktorja e njohur dhe shumë e dashur për publikun shqiptar, Hajrie Rondo, është sërish në gjendje të rëndë shëndetësore.

Të hënën e javës së kaluar ajo i është nënshtruar një tjetër operacioni në kokë. Prej kohësh aktorja është në një luftë të vazhdueshme me një sëmundje të rëndë. Pavarësisht kësaj, ajo nuk u ndal asnjëherë së dali në skenë.

Edhe pse ndenji për një kohë të gjatë në heshtje skenike, u rishfaq energjike, siç është në karakter, pak javë më parë në Teatrin e Metropolit me dramën “Tre dhëndurët”.

Duket se shëndeti i saj është përkeqësuar sërish sa është dashur një tjetër ndërhyrje. Vajza e saj, Klea Ikonimi, ka sqaruar gjendjen e saj shëndetësore.

“Fatkeqësisht kishte nevojë urgjente për një ndërhyrje tjetër. Kishte 10 ditë që nuk ndihej mirë, ishte e pafuqishme, prandaj shkoi të bënte një skaner pas të cilit bëri menjëherë ndërhyrjen.

Tani është më mirë, presim që të përmirësohet edhe pse vazhdon të jetë e shtruar në spital”,- është shprehur e bija e aktores. Rondo ka një karrierë të gjatë në kinematografinë shqiptare e numëron më shumë se 120 role në filma e teatër.