Opozita në protestë më 27 janar, Basha: Të largojmë qeverinë e paligjshme

Pas mbledhjes së organizuar ditën e sotme me kryetarët e degëve, Lulzim Basha zyrtarizoi datën 27 për protestën e paralajmëruar më herët nga opozita.

“Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen në protestën e 27 janarit, në orën 12:00, të opozitës”, u shpreh Basha.

Kreu i PD tha se ky shtet është ndërtuar mbi paligjshmërinë dhe largimi i qeverisë së paligjshme do të jetë qëllimi i opozitës.

“Drejtësia është kapur politikisht. Duam drejtësi për të papunët, për studentët, për ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri. Gjithçka nis nga kthimi i ligjshmërisë në vend. Sot kemi një narkoshtet, i ndërtuar mbi paligjshmërinë. Paligjshmëria është themeli i zgjedhjeve të kapura, i votës së blerë, që ka çuar në një Parlament, qeveri e kryeministër të paligjshëm. Pasojat e paligjshmërisë i ndjen çdo shqiptar. Objektivi i opozitës është dhënia fund e kësaj paligjshmërie”, tha Basha.

Më tej, Basha theksoi se të gjithë aleatët kanë nisur një dialog me qytetarët që do t’i paraprijë protestës.