Për gjuhën shqipe do të ketë zyrtarizim, pasi këtë klasë politike ta “hedhim” në kanalizim

Mevludin Imeri

Afrimi i zgjedhjeve lokale ka ngritur grintën e partive. Përveç se duan të tregohen punëtore, partitë shqiptare tani edhe më shumë duan të duken kinse janë më kombëtare se njëra tjetra.

Duke dalë në foltore të Kuvendit po mundohen të thonë ndonjë gjë, në të vërtet ata nuk po thonë asgjë, sepse tashmë 15 apo më shumë vite, ata nuk kanë qenë në gjendje të kryejnë punën për të cilën edhe paguhen.

Nuk e di si mundohen të tregohen, të mbahen patriote partitë dhe liderët tanë, kur shqiptarët e Maqedonisë kanë problem edhe me tekstet shkollore. Këtë problem në shtete tjera nuk e kanë as pakicat që janë vetëm 1 për qind, e lëre më popuj me 30 për qind e më tepër, siç janë shqiptarët e Maqedonisë. Problem ky që nuk u zgjidh edhe pse ministri i Arsimit dhe shkencës në Qeverinë e Maqedonisë 15 vite ka qenë shqiptar. Herë ministri ishte shqiptarë, herë zëvendës ministri, por asnjëherë nuk mundën ta lëvizin këtë problem nga pika zero.

Ata thirren “patriotë” por mundohen ta fshehin faktin se qytetarët e Haraçinës, nuk kanë Çerdhe për fëmijë. Në shekullin 21 banorëve të Haraçinës u mungon rrjeti për ujërat e zeza (kanalizim), komuna e Haraçinës dhe shumë komuna shqiptare nuk kanë hapësira të gjelbrta, shkalla e pa punësisë në komunat shqiptare është mbi 60 e 70 për qind, mungon ndriçimi publik, mungojnë zona ekonomike dhe shumë gjëra të tjera elementare.

Kuazi-patriotizmi i tyre më së shumti bie në sy te muralet e ngjyrosura me figura kombëtare, për të cilat nuk janë harxhuar para buxhetore, as sa për njërën këmbë të kalit të Goce Dellçevit, ose Nikolla Karevit. Kuazi-patriotizmi i tyre shihet edhe tek “zyrtarizimi”, apo avancimi i gjuhës shqipe sipas sistemit të ujitjes “pika-pika” (kapka po kapka). Një pikë sot, një pikë nesër, thuajse shqiptarët janë pemë ose perime, që mbillen në pranverë e thahen në vjeshtë, e jo komb me traditë dhe me histori të begatë mijaveçare.

Ata kanë harruar se ky “zyrtarizim” i shqipes me sistemin “pika-pika”, përve; që nuk i jep shqipes statusin e merituar, shqiptarëve të Maqedonisë nuk ua plotëson mungesën e kanalizimeve fekale. Edhe po të bëhet dyfish më zyrtare se maqedonishtja, avancimi i shqipes nuk ua zvogëlon shqiptarëve përqindjen e pa-punësisë, nuk mbulon mungesën e infrastrukturës. Pse tërë kohën gjendemi para aktit të kryer- ose punësim, ose zyrtarizim. Ose kanalizim-ose zyrtarizim. Dhe në fund, me këtë klasë politike, nuk bëhet as njëra as tjetra. Shqiptarët do të kenë edhe zyrtarizim (të shqipes) edhe punësim, vetëm kur këtë klasë politike do ta hedhin në kanalizim.

Nëse nuk shkon si proces paralel me avancimin e shqiptarëve edhe në plan ekonomik, zyrtarizimi i shqipes shqiptarët nuk i bën as më të pasur, e as më shqiptarë. E nëse shqiptarët nuk avancojnë në ekonomi, ushtri, polici, kulturë dhe lëmi tjera, atëherë zyrtarizimi i shqipes edhe po të ngritet në nivel të barabartë me maqedonishten, do të jetë një proces shterpë, pa kurrfarë efekti. Kjo klasë politike që e kemi, nuk mund ta kuptojë këtë. Prandaj edhe ishte apeli im simbolik që e përmenda më lart, se këtë klasë politike shqiptarët duhet ta hedhin në kanalizim. Për të bë këtë, shqiptarët nuk duhet të përdorin as forcë, as sharje, as ofendime, por vetëm forcën goditëse të votës së tyre.

Hapi më i madh patriotik në ditën e sotme është edhe lufta kundër korrupsionit, vjedhjes dhe hajnisë. Këtë duhet ta ketë në mendje votuesi shqiptar që nga fillimi i fushatës parazgjedhore, e deri në ditën e votimit. Dhe në fund, kur të kthehet nga vendovitimi në shtëpi, ta ndiejë kënaqësinë e rrëzimit nga skena të atyre partive dhe politikanëve që shquhen për dukuritë që i përmenda pak më parë.

Kurse ju parti e lider politik shqiptar, mund të merrni nofkën patriot dhe të jeni në rang me heronjtë e mëdhenj kombëtar, vetëm atëherë kur do ti rregulloni problemet e lartë përmendura me të cilët shqiptarët po përballen tashmë një dekadë. Këtë epitet do ta meritoni vetëm atëherë kur të burgosurit e pa fajshëm do të lirohen nga burgu, dhe përfundimisht vetëm atëherë kur fëmijëve të dëshmorëve tu plotësohen kushtet e jetesës.

Nëse me të vërtet e doni gjuhën shqipe dhe zyrtarizimin e sajë së bashku me flamurin, do t’ua pranoj vetëm atëherë kur në shtizën para Qeverisë së bashku me flamurin e Maqedonisë të varet edhe shqiponja dy krenare. Asgjë më pak, asgjë më tepër! Pikë.