Përderisa Gruevski na urrente, Zaevi po na mashtron!

Shkruan: Muxhahid ISMAILI

Zaevi i përdori të gjitha “armët” që kishte në disponim, që ta tregonte fytyrën e vërtet të regjimit kriminel e antishqiptarë DPMNE-BDI. Por ai thuajse harroi se në ndërkohë e shpaloste edhe portretin e vet politik, i cili nga shpresëdhënës do përfundonte në atë që është sot – në një politikan që më shumë po gënjen se realizon. Gjithashtu ishte po ky Zaev që përdori gjithë “municionin” e rëndë për ta demaskuar kundërshtarin e vet politik. Por, nga i gjithë ai armatim dhe municion, më të vlefshme ishin ‘bombat’ e bisedave të përgjuara telefonike, që dëshmuan atë që e dinin të gjithë: se Maqedoninë e drejtonte amoraliteti, krimi dhe nëntoka politike.
Ky fakt sado që i dhimbshëm të jetë padyshim na tregoi të vërtetën e hidhur se Zaevin nuk do e sillte në pushtet asnjë strategji politike, nëse nuk do “shpërthenin” bombat e shpresës shqiptare se më në fund u gjetë një drejtues partiak maqedonas që e kishte kuptuar se shteti që burgosë pafajësinë shqiptare, herdo-kurdo kalbet e zhbëhet si të mos kishte qenë fare. Pra po të mos ishin bombat e premtuara nga Zaevi, e që do dëshmonin pafajësinë e shumë të burgosurve shqiptarë, Kryeministri i sotëm sot i Maqedonisë do ishte vetëm një më shumë në mesin e atyre që shohin ëndrra të kota politike.

Sidoqoftë, Zaevi u bë kryeministër. Së bashku me të u bënë të ‘fortët e lagjes’ edhe shqiptarët ‘laraman’ që na shisnin, e që na shesin koncept qytetarë dhe që na këshillonin e na këshillojnë të zhvishemi nga petku ‘nacionalist’, e t’i bashkëngjitemi Zaevit që merret me gjëra që të sjellin ‘bukë e ujë’ e jo kotësi etnike!? Pra Zaevi erdhi në pushtet edhe pasi që një gazete gjermane i kishte deklaruar se të akuzuarit e të dënuarit e rastit “Monstra”, janë të pafajshëm. Me çka tani ai është kryeministër i një shteti, në burgjet e të cilit – sipas fjalëve të tij – kalben shqiptarë të pafajshëm. Kjo gjendje e ‘’pafuqisë’’ sonë na le në hamendje ta pyesim veten: si ndihet po ai Zaev sot kur e dinë se burgjet e shtetit që drejton janë përplot me pafajësinë shqiptare?

Zaevi përdori gjithë ‘armatimin’ e mundshëm që ta shpaloste të vërtetën që e dinim por që duhej dëshmuar: se Maqedoninë e drejtonte regjimi kriminel dhe antishqiptarë DPMNE-BDI. Gjatë kësaj beteje, ,Zaevi me mjeshtri e përdori edhe zhgënjimin e shqiptarëve nga BDI’ja që ishin pjesë e këtij regjimi. Me çka nuk e pati të vështirë ta fitonte simpatinë e një pjese të shqiptarëve të këtushëm. Simpatinë e atyre shqiptarëve që nuk besonin kur u thoshim se është e vërtet se Gruevski nuk na donë, por keni kujdes, sepse Zaevi na mashtron! Pikërisht sot shumë shqiptarë ‘’ zaevist’’, janë në hamendjen e tyre mes asaj që quhet gënjeshtër politike apo e vërteta e gënjeshtrave të politike. Ne nuk mund ti hyjmë askujt në lëkurë që t’jua caktojmë fatet e tyre politike, ama së paku që mund të bëjmë është që këtyre shqiptarëve tu themi troç: Kujdes pak, se po krijojmë Gruevskin e dytë me emër të ndryshëm.

Dhe ja, sot kur Maqedonia kaloi nga duart e Gruevskit që i urrente shqiptarët, tek ato të Zaevit që i gënjen shqiptarët – përsëri fajtorë kryesor të fatit tonë jemi ne shqiptarët qoftë ata ‘’ zaevist’’, qoftë edhe shqiptari që nuk po ju beson më edhe shqiptarit të vet. Kjo gjendje po na tregon se për shqiptarët nuk ndryshoi thuajse asgjë, përfshi edhe burrështetasit e BDI’së, që deri dje na çonin në NATO e BE me VMRO-DPMNE’në, e sot janë pushtetarë të qeverisë reformiste të Zaevit. I vetmi ndryshim është ai se buqeta qeverisëse është begatuar edhe me shqiptarët e partive të dikurshme kinse opozitare shqiptare si dhe me shqiptarët që e afirmojnë konceptin “qytetarë” të Zaevit. Gjitha këto dukuri, së bashkë me ato që nuk shkruhen por ndjehen në lëkurën e mjerë të shqiptarit tonë që edhe etnikisht është i ngarkuar me barrën mes ‘’ zaevizmit shqiptarë’’ apo pastërtisë shqiptare, na detyron të parashtrojmë pyetjen: cili është dallimi mes vasalëve të deridjeshëm të Gruevskit që na urrente dhe i shërbëtorëve të sotëm të Zaevit që po na mashtron?!