Copy Code

Pse kjo tallje me diasporën shqiptare ?!

Emin Azemi

Maqedonia do të dërgojë në diasporë vetëm një mësues shqiptar. Kështu kanë vendosur institucionet që e menaxhojnë këtë fushë dhe mbetet e pakuptueshme se cilat kriter janë marrë për bazë para se të merret një vendim i tillë. Nuk është hera e pare që shqiptarët nga Maqedonia që janë në diasporë që diskriminohen nga institucionet shtetërore. Ishin ciklet e kaluara zgjedhore që nxorën në pah shumë anomali që patën për epilog një pasqyrë që nuk korrespondon me realitetin.
Shqiptarët jo vetëm që janë numerikisht më shumë në diasporë, por ata janë edhe faktorë shumë i rëndësishëm i mirëqenies ekonomike e sociale në Maqedoni. Remitencat që shkojnë mbi 1 miliard euro në vjet, janë prurje financiare që e shpëtojnë ekonominë e Maqedonisë nga kolapsi. Janë të shumtë mjekë, juristë, bankierë, arkitektë nga Maqedonia në Zvicër, Gjermani, Austri, Norvegji, Belgjikë, Itali, Danimarkë etj. të cilët po kontribuojnë në dy fronte në emancipimin dhe ngritjen kulturore të komunitetit shqiptar në diasporë dhe në flakjen e e skemave paragjykuese për shqiptarët që ka ekzistuar te një pjesë e shtypit dhe qarqeve perëndimore.

Tani kur Maqedonia si shtet në vend se të organizohet më tepër në ngritjen e kapaciteteve shtetërore në diasporë, ajo e bën të kundërtën. Dërgon vetëm një mësues dhe pastaj kërkon nga diaspora financa, kuadro, lobim etj. Çka mund të bëjë ai mësues i vetëm për atë armatë të tërë nxënësish shqiptarë në diasporë dhe a nuk është kjo një tallje me ata njerëz të cilët asgjë nuk kursyen që shumë kush nga diaspora të bëhet politikan në Maqedoni. Pse ky qëndrim injorues ndaj kësaj popullate e cila aktualisht më shumë se kurdo herë ka nevojë për mësues e libra shqip. Ata nuk po vuajnë për shkolla, sepse ato i kanë në nivele e performanca shumë të kënaqshme, por mungesa e mësimit plotësues në gjuhën amtare është “thembër akili” për dhjetëra mijëra fëmijë shqiptarë në diasporë.
Ata që kanë vendosur të dërgojnë 4 mësues maqedonas dhe vetëm 1 shqiptarë në diasporë, mjerisht ende lundrojnë në labirinthet e statistikave që ata vetë i kanë shpikë dhe çuditërisht mendojnë se edhe në mërgatë ka më tepër maqedonas se shqiptarë. Politikat e diskriminimit në punësim, privatizim, përfaqësim adekuat etj. kanë bërë që dhjetëra mijëra shqiptarë me dekada e dekada të gjejnë perspektivë jashtë Maqedonisë dhe dominimi i popullatës shqiptare në diasporë nuk është meritë e tyre, por e politikave diskriminuese që u udhëhoqën kundër tyre.

Logjika e diskriminimit të djeshëm, katapultohet në forma më të sofistikuara edhe në praktikat e sotme. Në diasporë për fëmijët shqiptarë do të dërgohet vetëm një mësues dhe mund ta imagjinoni se çfarë “supermeni” duhet të jetë ky mësues që t’iu japë mësim fëmijëve shqiptarë nga Italia e jugut deri lart në veri te Vikingët e Skandinavisë. Këtë mund të na e spjegojnë më mirë zyrtarët e Shkupit, por prindërit shqiptarë do të ngelin pa përgjigje në pyetjen se pse po ndodhë kjo tallje? Pse fëmijët e tyre duhet të vazhdojnë të ndjekin mejtepet e xhamive nëpër qytezat e Europës dhe çka do të ndodhë nesër me këta fëmijë të cilët do të ndodhen në udhëkryqin e madh të dezintegrimit shpirtëror e kombëtar?

Politika nëse nuk merret me këto pyetje, ajo kot ekziston si e tillë. Kot politikanët tanë angazhohen për “procese të mëdha” euro-integruese nëse kjo rini shqiptare e diasporës mbetet nën mëshirën e fatit dhe fatalitetit.
A ka vend për ndonjë korrigjim, sa s’është bërë vonë? (KOHA.MK)