Rasti “Shuplakat”, dëshmon Zhernovski, Gruevski fajëson politikën

Ish kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski dha deklaratë para gjykatës si dëshmitar i dhunës në këtë komunë në vitin 2013, kur po votoheshin planet e detajuara urbanistike. Zhernovski u pyet për rolin e tij atë ditë, dhe nëse njeh dikë prej sulmuesve. Ai njohu dy prej tyre dhe tha se turma e mbledhur e ka ofenduar dhe e ka sharë rëndë. Por shpjegoi edhe momentin kur turma kishte filluar t’i hapë dritaret e komunës dhe të gjuajë me gurë e gjësende drejt sallës ku po mbahej mbledhja e këshillit komunal. Në seancën e sotme Zhernovski iu përgjigj vetëm pyetjeve të prokurorëve, ndërsa në seancën e ardhshme avokatët dhe të akuzuarit do të kenë mundësi për pyetje. Seanca u anulua për 18 dhjetor, kur është paraparë edhe rasti “Trajektorja”. Edhe në këtë rast është i akuzuar Nikolla Gruevski.

Andrej Zhernovski, dëshmitar

“Shpresoj se deklarata ime do të ndihmojë që ata që janë organizatorë të këtyre ngjarjeve të pahijshme të përgjigjen. Jo vetëm për atë përse e kanë kryer atë vepër, por edhe që të mos përsëritet më asnjëherë”

Ish kryetari i Qendrës thotë se policia ka qëndruar e verbër para dhunës dhe nuk ka vepruar fare kur kanë kërkuar të dëmtuarit.

Gruevski e quan këtë rast përndjekje politike dhe habitet si nuk kanë trajtim të njëjtë me protestuesit e Revolucionit Shumëngjyrësh.

Nikolla Gruevski, i akuzuar

“Ky gjykim është një përndjekje politike. Paramendoni në shekullin 21 vijmë në gjykatë për shkak të një proteste dhe kërkohen organizatori, pasi janë thyer vetëm disa xhama. Oponenti jonë politik i demoloi gjithë rrugët kur ndërroheshin rrugët e Qytetit të Shkupit, kur Laramanët i vunë flakën zyrës së Presidentit mbi të cilën ka banesa të cilat kanë mundur të kapen nga flakët(02:20)Kjo është një situatë absurde pasi kundërshtanët tanë kryesor politik, janë dëshmitar kundër nesh”

Fatime Fetai kritikoi Nikolla Gruevskin që e përdorte telefonin në gjykatë dhe u ankua edhe për sjelljen e avokatëve të Gruevskit ndaj saj pasi e pengonin në fjalë dhe reagonin vazhdimisht kur fliste.

Fatime Fetai, prokurore

“Sjelljen e tyre duhet ta vlerësojë gjykata dhe nëse ka sjellje të pahijshme duhet të merren masa adekuate. Por është e qartë se gjithë kjo bëhet me qëllim që të zvarritet gjykimi i cili përfundimisht sot filloi…Nikolla Gruevski është i akuzuar për veprën penale dhunë për çka parashikohet dënime burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vite.

Përveç Nikolla Gruevskit, të akuzuar në këtë rast janë edhe ish ministri i transportit Mile Janakieski dhe deputetja aktuale e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova. Ata akuzohen për veprën dhunë pasi shkaktuan protesta para komunës Qendër në vitin 2013, në kohën kur këshilli komunal po miratonte Planin e detajuar urbanistik. Bindja e protestuesve ishte se me këtë plan, do të pengohej ndërtimi i kishës Shën Konstandini dhe Elena që kishte filluar, por Zhernovski megjithatë e pati bërë të qartë se ndërtimet që kanë filluar nuk do të ndërpriten. Provat kryesore të kësaj lënde janë bisedat e përgjuara telefonike dhe dëshmitë.