Reagojnë familjarët e Grupit të Kumanovës: Mos na ngacmoni dhimbjen tonë, me tekste të porositura!

Disa njerëz nuk zgjedhin mjete për të tërhequr vëmendjen. Në mungesë të aftësive të vërteta dhe vlerave për të rënë në sy të opinionit, ata nuk hezitojnë të shpifin, të gënjejnë, e as të vjellin vrerë përmes teksteve që nuk dihet se kush i ka porositur. Nuk kursejnë as vlerat, as dhimbjet, as krenarinë e kombit. I tillë ishte edhe teksti i njëfarë Nexhat Hazirit që qenka botuar në disa portale, ku djemtë e Grupit të Kumanovës akuzohen se kanë qenë mercenarë dhe se kanë luftuar për para. Ata nuk ishin mercenarë, e as ISIS, por ishin djemtë më të mirë të luftës së vitit 2001, që u revoltuan për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Ohrit nga pala maqedonae dhe nga vasalët e maqedonasve.

Por ne i kuptojmë plotësisht personat që shpifin e akuzojnë, sepse ata janë mësuar vetë të funksionojnë si mercenarë dhe nuk mund ta akceptojnë se dikush është i gatshëm të luftojë, të plagoset, e bile edhe të bie dëshmor në front për popullin dhe atdheun e tij. Për Nexhat Hazirat dhe ata që i sponsorizojnë, nuk ekziston nocioni komb, liri, barazi dhe atdhedashuri. Ata ia kanë lejuar vetes të bëjnë gjithçka për përfitime personale dhe grupore, e madje edhe të tradhtojnë e ofendojnë edhe dëshmorët.  Prandaj mendojnë se gjithë bota funksionon si vetë ata. Historia shqiptare është përplot figura të heronjve dhe dëshmorëve, por fatkeqësisht edhe tradhtarë dhe mistrecë që kanë ofenduar dhe shpifur kundër heronjve tanë, por që gjithmonë kanë perfunduar të koritur dhe të poshtëruar. Ne nuk kemi ndërmend të merremi me ta, por vetëm i lusim në menyrën më njerëzore: Mos e ngacmoni dhimbjen dhe revoltën tonë, se një ditë edhe ju, ose familjarë tuaj, mund të gjenden në situatën që jemi ne sot. /Reagim i Familjarëve të Grupit të Kumanovës