Romët në Maqedoni bëjnë thirrje për përfshirje sociale, ankohen për jetë jo të mirë

Sot në Maqedoni u shënua Dita ndërkombëtare e romëve, por kjo nuk ndryshoi gjë në jetën e tyre. Përveç disa urimeve zyrtare nga politikanët në Maqedonia, ata nuk morën asgjë. Por ankohen se janë duke jetuar keq.

“Nuk kam vullnet të ju them realisht, që të flas. E shihni se në çfarë gjendje jemi ne romët se si jetojmë, më thuaj si ta festojmë 8 prillin e sheh se ka më shumë se 30 fëmijë, janë në katër shtëpi ku jetojnë”, tha për TV21 Gege Demirovski, qytetare.

Ata po hasin në pengesa edhe në pikat kufitare gjatë daljes nga Maqedonia, ndërsa thonë se ndjehen si qytetar të dorës së dytë për shkak të mënyrës se si trajtohen ata.

Komuna e vetme në Maqedoni që udhëhiqet nga komuniteti romë është Shuto Orizare, e kryetari i saj Elvis Bajrami, thotë se po punojmë për integrimin e romëve përmes shkollimit.

Me rastin e ditës së romëve 8 prilli, ministri i punës dhe politikës sociale hapi zyrat për qytetarët të cilët jetojnë në lagjet rome për ti dëgjuar hallet e tyre. Ai kërkoi që të ulen paragjykimet ndaj komunitetit romë.

Ibrahimi tha se ulja e tij në këtë dikaster është dëshmia më e mirë se shteti bënë përpjekje për të përmirësuar gjendjen e tyre në vend.