Rrëfimi i pensionistes zvicerane që ka vendosur të jetojë në Kosovë

Shumë zviceranë, për të kaluar “mbrëmjen e jetës” ose moshën pas pensionimit, zgjedhin Tajlandën, ku çmimet janë të lira dhe moti është i ngrohtë.
Por ndryshe ka menduar 76 vjeçarja Elisabeth Küchler nga Lucerni. Asaj i është dukur temperatura në Tajlandë shumë e nxehtë dhe ka vendosur që “moshën e tretë” ta kalojë në Kosovë.
“Kosova, me rastin e vizitës që ua pata bërë miqve të mi kosovarë, pata parë se nuk është larg nga Zvicra, as gjeografikisht e as për nga kushtet klimatike”.
Küchler është protagonistja e radhës në serinë e shkrimeve për Kosovën dhe luidhjet e saj me Zvicrën, që është duke e botuar gazeta Blick dhe portali përkatës (blick.ch).
Elisabeth ka pasur edhe një arsye të fortë, përveç asaj klimatike, për t`u vendosur në Kosovë, gjegjësisht në Livoç të Gjilanit: çmimet e ulëta në krahasim me ato në Zvicër, transmeton albinfo.ch “Me 1800 franga pension unë në Zvicër nuk mund të mbijetoja”, thotë në tarracën e shtëpisë së saj të madhe kosovare, zvicerania Elisabeth e cila veten e quan “refugjate ekonomike”. Për këtë ndryshim në jetën e saj ajo kishte vendosur para pesë vitesh.
Ish kolegët e punës, kosovarë, kishin bërë shaka me të, duke i thënë se më mirë do të ishte të vinte për të jetuar në Kosovë se sa në Tajlandë. Dhe, ajo nuk e kishte zgjatur shumë: kishte kontaktuar një arkitekt , kishte blerë një truall. “Kur ata e morën vesh se unë me të vërtetë do të shkoja, më shpallën për të krisur”, shkruan albinfo.ch.
Por, pensionistja tashmë e ka rregulluar mirë jetën e saj në Kosovë. Ajo jeton në një shtëpi të madhe, ka një pastruese dhe i njeh të gjithë në fshat. Por, një mungesë e ndjek edhe këtu: vetmia. Ajo kishte qenë e vetmuar edhe sa jetionte në Zvicër ndërsa këtu e ka problem të thyejë vetminë pasi që nuk e njeh gjuhën e rrethit. “Mësimi i një gjuhe të re në moshüen që kam, është praktikisht e pamundur. Ndërsa zviceranë në regjion nuk ka”.
Ndërkohë që gazetarët zhvillojnë intervistën me Elisabethën, dëgjohen krisma armësh. Por ajo nuk e prish fare qetësinë. “Është sezon dasmash, janë të shtëna gëzimi”, sqaron ajo dhe thitë se është mësuar tashmë, përcjell albinfo.ch. Por, shton ajo, vetëm me krismat e fishekzjarrëve të 31 dhjetorit, për festën e Vitit të Ri, nuk mund të mësohet. “më me qejf rri në shtëpi atë natë”.
Ndërsa për kthimin eventual në Zvicër ajo është e prerë: “vetëm në arkivol”. Kjo për faktin se nuk mund ta imagjinojë një varrim në Kosovë. “Unë jam katolike e bindur dhe këtë nuk e ndryshojnë as kosovarët”, thotë Elisabeth.