Shqiptari i “Mother”, Gent Bejko në filmin e Aronovsky (VIDEO)

Pjesëmarrja e aktorit Gent Bejko në radhën e tretë të aktorëve në produksionin e filmit “Mother” të Darren Arronovsky-it është dukshëm një sukses në karrierën e tij edhe për të ardhmen,që mbase do ta çojë atë shumë shpejt në radhën e parë ose të dytë në produksionet e Hollywoodit.

“Ishte agjenti im që më krijoi mundësinë e audicionit. Aty flas edhe anglisht edhe shqip. Në një bisedë që patëm para filmit, fjala për Shqipen, me krenarinë tipike që karakterizon i thashë se është një nga gjuhët më të vjetra në Ballkan. Aronovsky-n e bëri pak kurioz. Ishim një dyshe trafikantësh të qenieve njerëzore dhe kryesisht të vajzave të vogla, të mitura”, tha për Top Channel aktori Gent Bejko.

Darren Aronovsky duket se kërkon të torturojë audiencat me filmin e tij. Këtë e bëri që në premierën në Toronto Film Festival ku edhe kërkoi ndjesë paraprakisht audiencës. Por ky regjisor nuk krijon dot pa provokuar.

“Ai ka edhe një specifikë të veçantë. Në gjithë krijimtarinë e tij ai është shoqëruar me vepra të cilat personazhet zhvillohen në mënyrë të tillë që ato shkojnë në limitet e tyre. Thuhet që filmi “Mother” futet tek xhevahirët e krijimtarisë kinematografike për këtë vit. Kasti është i një niveli të jashtëzakonshëm. Duke filluar me Jennifer Lawrence, Javier Bardem, Ed e Michelle Pfeiffer”, shprehet producenti Genc Përmeti.

Për shkak të agonisë apo ekstazës shumë njerëz janë çuar nga sallat e kinemasë, e kritika ka qenë e ashpër sidomos me skenën e kanibalizmit të përdorur në të.

Por fakt ngelet që “Mother” pavarësisht se kontrovers është një film që nuk duhet humbur. Dhe që premiera e tij në Venecia, është një pararendëse shumë e mirë në rrugën drejt OSCARS.