U tha familjarëve se po shkonte për një rast vdekje, por nuk u kthye më – shqiptari mori hakun e gjyshit, pas 49 vjetësh

Policia e Fierit ka arritur të zbardhë një vrasje të ndodhur rreth një vit më parë, duke vënë në pranga dhe autorin e dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur nëntorin e kaluar ku trupi i pajetë i Shefo Duraj, 57 vjeç, teknolog në uzinën e Ballshit u gjet nga një bari në pyllin e fshatit Kalenjë të Mallakastrës.

Ai u kishte thënë familjarëve se do të shkonte në Gjerbës të Skraparit për një rast vdekjeje, po nuk ishte kthyer më.

Policia ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes duke ndaluar autorin e dyshuar Feti Yzeiraj, 41 vjeç nga fshati Aranitas i Mallakastrës.

Shkak dyshohet hakmarrja, pasi babai i viktimës ka vrarë gjyshin e autorit, ngjarje e ndodhur 49 vite më parë, më 1968, përcjell tch.

Ndaj tij është nxjerrë urdhri i ndalimit për veprën penale vrasje me dashje teksa në cilësinë e provës materiale atij i është gjetur celulari i viktimës.

Vijon puna për gjetjen e provave të tjera materiale dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje.