Vendoset çmimi për hyrje në Brezovicë, ja sa do të kushtojë

Vendosja e laurës për pagesë në hyrje të Qendrës së Skijimit në Brezovicë, ka ndarë më dysh vizitorët. Disa mendojnë se vjelja e taksave do të çonte në përmirësimin e infrastrukturës, disa të tjerë e quajnë të padrejtë një gjë të tillë.

Pagesa për një person të rritur është 1 euro, ndërsa për fëmijë 50 centë.

Moti i mirë i këtyre ditëve të janarit , joshi shumë qytetarë nga vendi dhe rajoni që të nisen drejt Brezovicës.

Por, hyrja për në qendrën e skijimit i befasoi ata. Me urdhër të ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë këtu u vendos laura, me qëllim që të gjithë vizitorët t’i nënshtrohen pagesës.

Disa e mirëpresin këtë iniciativë, ndërsa për disa të tjerë kjo nuk është e drejtë.

Zyrtarët e ministrisë bëjnë me dije se laura u vendos katër ditë më parë, ndërsa gjithçka po shkon mirë. Pagesa për të rriturit është një euro, ndërsa për fëmijët nga 10 deri 18 vjet 50 centë.

Megjithëse automjetet nuk po vonohen shumë, kaosi i vërtet është afër qendrës. Mungesa e parkingjeve dhe numri tepër i madh i vizitorëve , bëri që shumë prej tyre të kthehen pa e shijuar këtë vikend në borë./RTK