Afrim Gashi: Jemi në aleancën e sigurisë bashkë me SHBA-në, Turqinë dhe shtetin amë, Shqipërinë

 

 

 

Të nderuar, një temë tjetër për të cilët dëshiroj t’ju flas është edhe pjesëmarrja jonë në pushtetin ekzekutiv. Siç tashmë është i njoftuaropinioni, ne në qershorin e vitit të kaluar u bëmë pjesë e pushtetit ekzekutiv, duke gjykuar se ishte momenti që të ngrihemi mbi interesat tona parciale dhe të ndihmojmë në realizimin e një synimi madhor, siç ishte integrimi. Kjo pritej nga ne, qoftë për shkak të votuesve tanë, por edhe gjithë miqtë tanë shqiptarë dhe ndërkombëtarë e prisnin një hap të këtillë, sepse kështu fuqizohej struktura që do ta bënte hapin e fundit që Maqedonia ta trasojë rrugën euro-atlantike dhe ashtu të pengohen agjendat e tjera, që nuk ishin të dëmshme vetëm për interesat gjeopolitike e shtetërore, por binin ndesh edhe me interesat e popullit shqiptar në Ballkan. Tash e tutje ne, edhe si shtet, por edhe si komb, jemi në aleancën e sigurisë që fillon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i përfshin vendet e Bashkimin Europian, vazhdon me mikun tonë të madh – Republikën e Turqisë, për të përfunduar me amën dhe fqinjin tonë, Republikën e Shqipërisë. Dhe, për ata që dinë të vlerësojnë, kjo nuk është pak”, ka thënë kryetari i AlternAtivA-s, Afrim Gashi, gjatë konventës promovuese të ribrendimit të partisë.