AlternAtivA e shpalosi fushatën me tubim madhështor në Kumanovë

 

 

Pas ribrendimit të partisë dhe në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, sonte AlternAtivA pati një tubim të madh në Kumanovë, ku në praninë e shumë aktivistëve dhe mbështetësve të saj, u fol për faqen e re politike të partisë, si dhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Të pranishmit të parët, në cilësinë e organizatorëve të tubimit, i përshëndetën kryetari i degës së Alternativës për Likovë, Fejzullah Emini dhe anëtari i Kryesisë Qendrore nga Kumanova, Driton Sulejmani.

Në këtë tubim, në cilësi të mysafirit ishte edhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri, i cili foli për rëndësinë  zgjedhjeve presidenciale dhe nuk la pa kujtuar zgjedhjet e vitit 2014, kur regjimi i atëhershëm në mënyrë klandestine e imponoi për president një njeri që kurrë nuk arriti të jetë zëri i të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut. Andaj, bëri thirrje të mbështetet kandidati Pendarovski , si emër që e garanton perspektivën euro-atlantike të vendit.

Pas tij fjalë rasti pati ministri i Kulturës, Asaf Ademi, i cili më shumë u ndal në punën transparente, që po bën Alternativa në dikasterin e Kulturës, ndërsa e theksoi edhe rëndësinë që kanë zgjedhjet presidenciale që të vazhdojë procesi i integrimit euro-atlantik.

I fundit me fjalë u paraqit Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Skender Rexhepi-Zejdi, i cili foli për frymën dhe idenë që vazhdon me Alternativën, duke i theksuar pikat që e bëjnë atë të dallohet nga partitë e tjera në vend, ndërsa në veçanti u ndal në rëndësinë integrimit si pikë e rëndësishme e programit politik të Alternativës, që merr kuptim aq më shumë me këto zgjedhje presidenciale.

Karvani i takimeve do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.