Asaf Ademi: Nuk do të përsëriten filmat nga qeveria e kaluar që nënçmojnë UÇK-në

Ministria e Kulturës distancohet nga filmi “Mocking of Christ” apo në shqip “Përqeshja e Krishtit” në të cilin pjesëtaret e UÇK-së paraqiten si vrasës dhe dhunues të civilëve maqedonas. Filmi i cili nxiti reagime të ashpra në opinion është mbështetur nga Agjencia e Filmit në vitin 2015, e cila e pavarur nga dikasteri i Kulturës. Ministri i Kulturës Asaf Ademi tha se përgjegjësia për mbështetjen ë këtij filmi nuk bie mbi përbërjen e re të ministrisë së Kulturës e as të Agjencisë së filmit, meqë e njejta ka marrë dritë jeshile si projekt tre vite më parë. Ministri Ademi siguroi se me Ligjin e ri për kulturë do të eliminohen të gjitha mundësitë që të mbështeten projekte të cilat krijojnë urrejtje ndëretnike dhe që nuk janë në interes të qytetarëve. Periudhës që vjen do të bëhet inspektimi i punës së Agjencisë së Filmit për tu parë nëse ka vepruar në përputhje me Ligjin.

Pasi që e pashë skenarin e filmit si dhe dokumentacionin e dorëzuar në Agjencinë e Filmit, në bazë të nenit 60 të Ligjit për veprimtari të filmit, vendosa të bëhet inspektim që ashtu ta përcaktojmë se a është respektuar norma ligjore dhe rregullat tjera nga fusha e filmit.  Me Ligjin e ri të Kulturës këtë çështje do ta rregullojmë ndryshe dhe tash e tutje nuk ka asnjë mundësi që askush me paratë e qytetarëve të realizojë projekte që janë kundër interesit publik të qytetarëve. Jeni të sigurt se të në ardhmen nuk do të përsëriten”- theksoi Asaf Ademi, ministër i Kulturës.

Filmi “Mocking of Christ” i regjisorit Jani Bojaxhi nuk ka pasur asnjë shqiptarë në përbërjen e komisionit si dhe në trupin i cili ka dhënë miratim për incizimin e filmit. I pari i diksaterit të Kulturës Asaf Ademi publikoi emrat të cilët kanë dhënë pëlqim që ky film të kalojë si projekt në të cilin nuk figuronte asnjë shqiptar.

Në këtë përbërje nuk ka asnjë shqiptarë, që është skandal në vete sepse në projekte kaq të shtrenjta që prekin edhe interesin e bashkësive tjera etnike në vend nuk është gjetur as edhe një shqiptarë i vetëm, që është si ashtu dhe asnjë të bashkësive të tjera etnike. Kjo nuk është Maqedonia multietnike dhe multi kulturore”- u shpreh Asaf Ademi, ministër i Kulturës.

Nga buxheti i shtetit për këtë film janë ndarë 300,000 euro. Drejtori aktual i Agjencisë së Filmit nuk tha nëse ky film do të tërhiqet nga qarkullimi. Në Agjenci ky film nuk paraqitet si i përfunduar, por se për përfundimin e tij ka edhe disa procedura të tjera.

Pos ministrit të Kulturës i cili është nga radhët e Besës, deri më tash asnjëri nga funksionarët e BDI-së nuk ka dalë me reagim të posaçëm rreth kësaj çështjeje, edhe pse ky film është miratuar gjatë kohës kur në koalicionin Qeveritar ka qenë BDI me VMRO-në.