Asaf Ademi: Për financimin e botimeve dhe projekteve kulturore, do të krijojmë fonde me standarde evropiane

 

 

Mbrëmë në emisionin ‘’ Studio e Hapur’’ në TV Shenja, i ftuar ka qenë ministri i Kulturës, Asaf Ademi, i cili foli edhe për çështjen e librit dhe problemet disavjeçare që kanë përjetuar botuesit dhe shtypshkronjat në të kaluarën. Ai më tej ka vazhduar duke thënë:  ‘’ Botuesit mendoj se duhet vlerësuar për punën e tyre. Natyrisht mendoj për botuesit seriozë, e jo për shtypshkronjat e libraritë fiktive që në të kaluarën kanë qenë thithës të mjeteve të Ministrisë së Kulturës dhe kanë abuzuar me ato fonde. Ju i patë të dhënat që dolën në opinion para do kohe dhe e patë saktë se si janë bërë manipulimet. Kësaj radhe kjo nuk do të jetë kështu. Të kalojë programi dhe më ftoni përsëri këtu që të flasim. Libri është punë seriozë dhe atë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që e duan librin. Sepse libri më së paku është mall pasurimi. Libri është portë e jetës’’, tha ministri i Kulturës, Asaf Ademi. ‘’ Unë mund të jap fjalën që do të  formojë komisione me ekspert dhe njerëz të  ndershëm njëkohësisht. Ndarja e mjeteve këtë vit është standardizuar dhe janë vënë kritere të qarta se si duhet të financohen. Evaluimi do të jetë proces i thjeshtëzuar me këto standarde. Kam bindjen që mund diçka edhe të ndryshohet, me qëllim të arritjes së standardeve të financimit të projekteve, njëjtë siç bëhen nga komisioni Europian, USAID , apo organizata tjera ndërkombëtare. Pas emërimit të komisioneve, do të organizoj takim me kryetarët dhe përfaqësuesit e mediumeve, që t’i njoftoj ata me punët dhe obligimet, por njëkohësisht edhe me përgjegjësit, e gjithë kjo do të mundësohet në mënyrë transparente para mediumeve’’, përfundoi ministri i Kulturës nga radhët e BESËS, Asaf Ademi.