Dr. ADNAN ISMAILI – panelist në debatin universitar për arsimin – ÇANAKALA – Turqi

Gjatë shënimit të 104-vjetorit të çlirimit të Çanakalasë, që u zhvilluan më 18-19 mars, në Universitetin “18 mars” të Çanakalasë u organizua një debat me temë “Perspektiva e arsimit të lartë dhe e ardhmja e Turqisë dhe e Ballkanit”.
Universitetin e Tetovës e përfaqësoi prof. dr. Adnan Ismaili, profesor dhe shef i degës së Filologjisë Orientale në UT dhe drejtor i SHB LOGOS-A. Ai foli në temën “E ardhmja e Turqisë dhe e Ballkanit përmes një arsimi sipëror cilësor”. Gjatë diskutimit të tij, ai shprehu kënaqësinë nga pjesëmarrja në debat dhe në ngjarjet e përvjetorit, për çka tha se: “Duke i vizituar varrezat e dëshmorëve të Çanakalasë, të ardhur nga Shkupi, Janina, Sarajeva e Shkodra, është e pamundur të mos emocionohesh.” Ndërkaq, në lidhje me temën ai shtoi se: “Turqia me shkëputjen e saj njëshekullore nga aktivitetet arsimore në Ballkan ka një vonese të madhe, andaj do të duhet të diskutohet rreth asaj se si mund të plotësohet kjo zbrazëtirë dhe si të gjenden zgjidhje të reja”.
Kjo temë zgjoi interes te studentët e shumtë, të pranishëm në këtë debat, si dhe te stafi akademik i universitetit, që e ndoqi me admirim debatin.
Në të vërtetë, prof. Adnan Ismaili ishte mysafiri i vetëm protokollar i ftuar nga Maqedonia në këtë përvjetor, kurse nga Shqiperia panelist ishte zoteri Mehdi Gurra, drejtori i fonacionit ALSAR nga Tirana.
Në ceremoninë përkujtimore më 18 mars morën pjesë edhe personalitete të larta të jetës politike e publike të shumë vendeve të botës, të cilëve iu drejtua Presidenti i Republikës së Turqisë, R.T. Erdogan. Prej trojeve tona mysafirë ishin edhe Fatmir Limaj – zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, Bekim Jashari – i biri i dëshmorit Hamzë Jashari dhe kryetar i Komunës së Skënderajit.