Erdhi nga Afrika për të mbrojtur për Trepçën, përfundoi punëtor në ndërtimtari (Video)

Erdhi nga Afrika për të mbrojtur për Trepçën, përfundoi punëtor në ndërtimtari.

Një rast i rrallë ashtu qysh di të ndodh vetëm në futbollin kosovar. Portieri i Trepçës, kishte udhëtuar nga Kameruni për të luajtur në pozitën e portierit te Trepça në vitin 2017, por ai ka përfunduar si punëtor në një kompani kosovare të ndërtimtarisë

Në Kosovë ka shumë histori interesante të lojtarëve që vinë nga Afrika, por kjo e Theo Fodjo Lali është tepër interesante.

Në majin e vitit 2017, Lali kishte ardhur në Trepçë për të mbrojtur për këtë skuadër. E nga duart e tij, ai kishte arritur që të konsiderohej edhe hero i Trepçës, pasi që kishte siguruar mbetjen në Ligën e Parë te “xehetarëve”, të cilët falë tri penalltive të pritura nga ai mposhtën Dardanën në barazh.

Megjithatë, portieri i xehetarëve ka përfunduar si një punëtor ndërtimtarie, për të të siguruar “kafshatën e gojës”.

Tashmë, 26 vjeçari punon një një kompani derisa pronari i kësaj kompanie, Fadil Halilaj ka treguar për Gazetën Olle se si e punësuan portierin e Trepçës.

“Ai ka ardhur me vetiniciativë për të kërkuar punë tek kompania jonë dhe ne i kemi gjetur ndihmë”, citohet të këtë thënë Halilaj për për Gazetë Olle, duke e vlerësuar “gardianin” e “xehetarëve” edhe punëtor të vyeshëm. “E dimë se është sportist i mirë, e njeh gjuhën angleze, por gjithashtu edhe punëtor i mirë. Tek ne nuk punon rregullisht, por kohë pas kohe e angazhojmë kur kemi nevojë”.

Shumica e futbollistëve në Kosovë kanë edhe nga një punë dytësore përpos futbollit, por ky rast është me të vërtetë i i veçantë, derisa klubi Trepça ka disa vite që thuhet se është në borxhe të mëdha.

Për Fodjo Lalin për Olle ka folur edhe Avni Haxhiu, kryetar i Trepçës.

“Unë nuk kam njohuri. Edhe pse jam në biseda të rregullta me të, nuk më ka treguar. Edhe nëse ai gjatë kohës së pushimit punon, nuk kam çka të them për këtë, pasi nuk e ka të ndaluar”, ka thënë Haxhiu derisa ka mohuar se ai ka ndonjë pagë borxh portierit.

Për shkak të borxheve që ka Trepça ndaj lojtarëve, shumë sosh u larguan këtë dimër në drejtim të klubeve tjera. Të njëjtin fat po mundohet ta ketë edhe Fodjo Lali. “Ai dëshiron të kalojë në Slloveni, por ka probleme me vizë, sepse nuk i është dhënë përgjigje”, shton numri një i klubit mitrovicas.

Gazeta ka kontaktuar edhe lojtarin, i cili në momentin që i tregojmë se jemi gazetar, të kushtëzon për të mos e pyetur jashtë futbollit! “Mund të flasë vetëm për karrierën në futboll, sepse nuk më lejohet të flasë diçka tjetër për menaxhmentin e Trepçës” , ka thënë ai ër Olle.

Theo është parë edhe në ahengun e kompanisë ku punon si punëtor krahu, që ishte organizuar në në fund të vitit, për të shënuar një vit të suksesshëm, vit në të cilin ka kontribuar edhe kamerunasi

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të futbollistëve në Kosovë është formuar vitin e kaluar dhe qëllimi i saj është mbrojtja e të drejtave të lojtarëve.

Për rastin e portierit të Trepçës, kryetari i kësaj shoqate, Visar Zogiani, thotë se nuk është në dijeni, e as nuk kanë pasur ndonjë kërkesë nga lojtari.

“Nuk kemi qenë në dijeni dhe nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga ana e futbollistit (portierit), por duhet të shikohet se a ka kontratë me klubin, a ka pranuar me dëshirë të punoj edhe një punë tjetër apo është obliguar, pasi që në Ligën e Parë nuk është futbollisti i vetëm që punon një punë dytësore për të fituar mjaftueshëm, kur dihet se vetëm dy-tri ekipe që kanë pretendime të inkuadrohen në Superligë paguajnë më mirë”, thekson Zogiani.

Lojtari nuk ka kontratë të vërtetuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai vazhdon të shpresojë se do t’ia shoh hairin futbollit të Kosovës. “Mendoj se futbolli i Kosovës ka një nivel të mirë, për shkak të synimeve të skuadrave që kanë për të dalë në garat ndërkombëtare si Liga e Kampionëve apo Liga e Evropës”, thotë Fodjo Lali për Gazetën Olle.

Trepça garon në Ligën e Parë, ndërsa stinorin vjeshtor e mbylli në vendin 7 me 24 pikë të tubuara. Nëntë vjet më parë, në vitin 2010, ata kishin fituar titullin kampion në Superligë, por vitet e ardhshme nuk ishin aspak të mira, duke luftuar kryesisht për mbijetesë ose ngjitje në Superligë.