Fati i qeverisë do të dihet pas kthimit të Zaevit nga Berlini dhe Afrim Gashit nga Uashingtoni!

Muaji qershor do të jetë përplot zhvillime të bujshme politike në Maqedoni, prej të cilave do të varet edhe funksionimi i ardhshëm i qeverisë. Burime qeveritare thonë se koordinatat kryesore të lëvizjes së shumicës parlamentare do të dihen pas takimit të kryeministrit Zoran Zaev me kancelarin gjermane Angela Merkel, që të enjten pritet të realizohet në Berlin. Ndërkaq, mesazhet e politikës amerikane për qeverinë e Maqedonisë së Veriut pritet t’i sjellë kryetari i Alternativës Afrim Gashi, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Uashington. “Pas kthimit të Zevit nga Berlini dhe Gashit nga Uashingtoni do të kemi pasqyrë më të qartë për qëndrimet e miqve tanë ndërkombëtarë, lidhur me zhvillimet në Maqedoni”, thonë burime qeveritare. Te Alternativa thonë se kryetari i partisë do të informojë strukturat për vizitën në Uashington. “Kryetari Gashi fillimisht do të informojë kreun partiak për vizitën e tij në SHBA, si dhe për porositë e miqve tanë atje. Varësisht prej këtyre porosive, do të caktohet edhe kursi i veprimit të Alternativës gjatë periudhës në vijim”, thonë nga Alternativa. Në qeveri thonë se BDI për momentin është jashtë rrjedhës së zhvillimeve kryesore politike, për shkak të skandaleve me përgjimet dhe aferat korruptive, prandaj edhe nuk përfillet sa duhet nga faktori ndërkombëtar për zhvillimet kryesore në vend. Pritet që BDI të kthejë pozitat e veta vetëm nëse bën reforma brenda radhëve të saj.