Fjalimi i ministrit të kulturës, Asaf Ademi gjatë tubimit qendror në Gostivar

Fjalimi i plotë i Asaf Ademit – Ministër i Kulturës, gjatë tubimit qendror të Lëvizjes BESA në Gostivar

 

 

 

I nderuari kryetar i Lëvizjes BESA, miku im Afrim Gashi,

I nderuari nënkryetar, Sekretar i Përgjithshëm, anëtarë të Kryesisë dhe aktivistë të Besës,

Ju, të dashur bashkëvendës të mi të Gostivarit dhe ju mysafirë,

Zonja e zotërinj,

 

Kam kënaqësinë që këtë fushatë për referendumin e 30 shtatorit ta shpalosim në qytetin tonë. Jemi të nderuar dhe prandaj ju falënderoj që sonte jeni në këtë sallë.

 

Të nderuar,

Ajo që është e rëndësishme dhe që mendoj se duhet ta kemi parasysh në këtë moment është se këto janë çaste që e përcaktojnë të ardhmen tonë shumëvjeçare. Gabimet që mund të bëhen në zgjedhje mund të përmirësohen pas 4 vjetëve, por gabimet që bëhen në referendume gati se nuk përmirësohen fare. Prandaj, dua ta kuptojmë se kjo është çështje shumë e rëndësishme dhe si të tillë duhet ta pranojmë dhe gjykojmë.

 

Të nderuar,

E vërteta është gjithmonë një, ndërsa ajo që dallon janë vetëm interpretimet. Ndërkaq e vërteta e këtij momenti është se pa referendum të suksesshëm nuk ka NATO dhe BE. Këtë nuk po shpik unë, por këtë na e tha kancelarja e Gjermanisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, na e thonë emisarët amerikanë, ndërsa na e tha presidenti i Kosovës dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë. Gjithçka tjetër pastaj është vetëm interpretim, të mos them muhabet. Prandaj nëse ne e dimë se pa referendum të suksesshëm nuk ka NATO dhe BE, ndërsa pa BE dhe NATO mund të kemi probleme serioze të paqes dhe me ndikime antishqiptare, mendoj se për neve nuk duhet të ketë dilema.

Nisur nga kjo, halli i jonë si komb nuk duhet të jetë më a jemi për NATO dhe për BE, por kur më shpejt do të bëhemi anëtarë të BE-së dhe të NATO-s. Ne e pamë se ç’na solli tranzicioni. Mendoni vetëm proceset e montuara politike kundër shqiptarëve, që nga afera e armëve e deri te Monstra! A do të kishin mundur të bëheshin ato procese nëse ne do të ishim shtet anëtar i NATO-s ose anëtar i BE-së? Pra, edhe vetëm në aspekt të drejtësisë nëse gjykojmë, hesapin e kemi të qartë.

 

Të nderuar,

Krejt këto që i thashë janë ashtu dhe besoj se krejt jeni dakord, por ajo që është më e rëndësishmja për neve është se ne jemi një rajon që për ditë e më shumë po e vuan kurbetin dhe shpërnguljen. Nuk ka familje në zonën e Pollogut që nuk ka dhjetëra anëtarë në mërgim. Na u zbrazën shkollat e nuk po dëgjohet zë fëmije duke lozur më në oborret tona. Nëse jo për diçka tjetër, ky referendum është një nismë që të ndalojë kjo zbrazje e trojeve tona stërgjyshore dhe, bile një ftesë që ata që kanë ikur, të na kthehen. Nuk është e rastësishme që Zoti na ka falë shqiptarë dhe na ka bërë të jetojmë në këtë vend. Prandaj ne duhet të kujdesimi që të mbetemi të tillë dhe të mbetemi në këtë vend. Ndërkaq, pa këtë integrim, unë nuk kam shpresë se mund ta bëjmë këtë.

 

Shumë të respektuar të pranishëm, PO-ja e këtij referendumi është PO për amanetin e stërgjyshërve tanë, që na thanë të kujdesemi për këtë troje, dhe është PO për kërkesën e të rinjve, që na pyesin a ka shpresë këtu. Unë ju them PO. Këtu do ta bëjmë Evropën dhe ju nuk keni më nevojë të shpërnguleni.

 

Të dashur të pranishëm, si ministër i kulturës që jam, do të më lejoni të them se kultura ka qenë gjithnjë ajo me të cilin ne jemi mburrur. Madje, edhe kur nuk kemi pasur çka të ofrojmë tjetër, ka qenë trashëgimia jonë e pasur shpirtërore e kulturore ajo që na ka inkurajuar se megjithatë edhe ne kemi çfarë t’i ofrojmë botës. Por, mungesa e fondeve për kultivim dhe mbrojtje të vlerave të tilla në jo pak raste na ka bërë të ndjehemi me faj që nuk arrijmë ta ofrojmë më të vlefshmen në përmasa botërore. Prandaj, një referendum i suksesshëm më 30 shtator është edhe një mundësi më shumë që kultura, trashëgimia kulturore dhe vlerat e tjera shpirtërore të dalin në pah si tipare që e tipizojnë dhe ndërtojnë identitetin tonë autokton para botës.

 

Unë ju falënderoj që sonte ishit në Gostivar dhe ju mbaj për fjale se ne do ta mbështesim këtë referendum, sepse aty e gjejmë veten dhe interesat tona strategjike.

 

Ju faleminderit dhe mirupafshim në PO-në e fitores më 30 shtator!

 

 

 

Asaf Ademi,

Ministër i Kulturës i Republikës së Maqedonisë

 

 

 

Gostivar, 13.09.2018