Fjalimi i plotë i Ministrit të Kulturës, Asaf Ademi në Gostivar në tubimin e Flakës së janarit

Jam i nderuar që kam mundësi t’ju drejtohem jo vetëm në cilësinë e ministrit të Kulturës, por edhe në cilësinë e një qytetari të Gostivarit, që sonte është i nderuar që flakadanin e Flakës së Janarit po e ndezim edhe në qytetin tim.

 

Shumë të dashur të pranishëm, janë disa njerëz që më shumë flasin me mungesën e tyre sesa me praninë e tyre. Ata më shumë janë të pranishëm kur nuk janë sesa kur janë. Ata më shumë na këshillojnë duke munguar sesa mes nesh duke qëndruar. Në të vërtetë, mungesa e tyre shndërrohet në gjithëprani ose kudoprani, që na ndërgjegjëson dhe flet më shumë seç na ka folur jeta e tyre kur ata kanë qenë mes nesh. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu, por edhe të gjithë veprimtarët dhe dëshmorët e kombit, të rënë për liri në janarët e ndryshëm shqiptarë, janë thjesht luleborat e lirisë shqiptare. Ata janë kasnecët që paralajmërojnë ardhjen e pranverës në mes të acarit, duke na e ndezur flakën e shpresës edhe atëherë kur venitja dhe dëshpërimi ishin bërë lajtmotiv i jetës.

 

Nisur nga kjo, unë dua t’i përgëzoj organizatorët e Flakës së Janarit, që çdo vit – përmes aktiviteteve të ndryshme – siç është edhe kjo akademi solemne në Gostivarin tonë, arrijnë të na janarosin me sakrificën e tyre dhe të na brumosin me dashurinë e atyre që borën e bardhë të dimrit të janarëve e mbuluan me gjakun e kuq të shkabës shqiptare.

Megjithatë, do të pajtoheni, se nuk ka detyrë më të rëndë se të flasësh për ata që jetën e tyre e shkruan me gjakun e tyre dhe që sot na flasin me mungesën e tyre. Sepse nuk ka fjalë dhe varg që i nderon më shumë ata se vet vepra e tyre. Ndërsa vepra e tyre nuk është fjalë dhe nuk mund të bëhet fjalë. Sepse ajo i ka shpenzuar shkronjat që do të mund ta shkruanin atë.

Në të vërtetë, sot gjithkush nga ne do të dëshironte të ishte një nga vëllezërit Gërvalla a Kadri Zeka ose të gjithë ne sot i xhelozojmë ata që u bënë luleborat e lirisë shqiptare, duke na ndërgjegjësuar se liria është një ideal që kërkon sakrifica të përtejme.

 

Prandaj, unë përulem para veprës së tyre, lus Zotin ta bekojë punën e tyre dhe uroj që Flaka e Janarit të mbetet e pashuar në historinë tonë kombëtare dhe gjithmonë të jetë leksion lirie për të gjithë brezat!

 

Lavdi!

 

 

 

Asaf Ademi, ministër i Kulturës

 

 

 

 

Gostivar, 16.01.2019