Copy Code

Gashi: Kërkojmë emër për identitet të përbashkët shtetëror  

Në intervistën për gazetarin Erion Kacorri në TV News24, kryetari i lëvizjes BESA, Afrim Gashi, mes tjerash, foli edhe për kontestin që e ka Maqedonia me Greqinë në lidhje me emrin e shtetit. Në këtë drejtim ai theksoi se parësore dhe më e rëndësishme se kjo është anëtarësimi në NATO. “Andaj, zgjidhja e kontestit të emrit është shumë e rëndësishme pikërisht tash”, tha ai.

Dhe, kur gazetari Kacorri e pyeti se cili është propozimi i Besës për emrin e shtetit, Gashi u përgjigj se: “Kërkojmë emër për identitet të përbashkët shtetëror”. Kjo mendoj – tha Gashi – është interes i të gjithë shqiptarëve. Nëse plotësohet kjo dhe kështu hapet rruga për NATO, ne jemi të kënaqur.

“Kjo nënkupton se identiteti shtetëror duhet të jetë inkluziv dhe joekskluziv. Ai nuk duhet të identifikohet me asnjë etni veçmas, por të gjitha bashkësitë etnike duhet ta gjejnë veten në identitetit e përbashkët shtetëror.”, përfundoi Gashi.