Copy Code

Gëzuar 1 Qershori o fëmijë, që sot nuk është siç ishte dikur

Liljana Çerri
Dikur nën rrobat e grisura dhe sandalet gjithë pluhur, ku në pjesën më të madhe te kohës i mbanim nën sqetull, pasi na kishin thënë se këto do kishim për një shekull, bridhnim te lumtur rrugëve e shesheve për të luajtur. Ashtu të lumtur, ku me barkun bosh e ku një copë bukë me sheqer e ujë e hanim 10 veta, loznim shumë, gëzonim shumë, pa ditur e padashur se një dite do rriteshim dhe do ndjenim keqardhje për fëmijërinë e këtij brezit të sotëm. Sa keq më vjen që ju s’ja dini vlerën të ecurit zbathur në tokën e nxehtë, s’ja dini vlerën atyre sandaleve që ti blenin e ti i fusje nën jastëk se mos i humbje, s’ja dini vlerën atyre petullave me atë pak lyrë, por që të shijonin deri në palcë. Sa keq që s’dini shijen frikës se s’do te linin te lozje te nesërmen, pasi do ndihmoje mamin, s’ja dini vlerën fëmijërisë, e ky është krimi me i madh që ju kanë bërë prindërit. Keni salltanete plot, sa edhe unë që punoj e kam rrogë ju kam zili, se skam as gjysmat. Por s’keni atë që brezit tonë s’do i iki kurrë: SHPIRTIN E FEMIJËS, dashurinë për gjërat e vogla. Gëzuar 1 qershorin o brezi i Iphonave e smartphoneve, brezi i bencave të babit, e diamanteve të mamit. Gëzuar o ju fëmijë që keni prindërit me pushtet e thoni me plot gojën: E KEMI BLERË TË GJITHË VENDIN, por keni shpirtin bosh. Gëzuar ju fëmijët e vërtetë, ku mes stërmundimeve te prindërve bëni një jete normale. Gëzuar ju jetimë, që loti nuk ju pushon asnjë ditë, kur shikoni maskaradën e këtyre të sipërpërmendurve. Gëzuar o prindër që nuk ju ka humbur shpirti i fëmijës. Gëzuar 1 Qershorin çdo fëmije në këtë vend. Buzëqeshjet kurrë mos ua heqtë njeri, e zoti ju mbështeste aty ku pushtat duan t’ju rrëmbejnë ëndrrat. 1 qershor apo 1 janar, i gjithë viti, e gjithë jeta qoftë e brezit të ri, që është forca dhe fuqia e një vendi…..