Intervistë me drejtorin e ri Driton Sulejmani, të Muzeut Natyroro-Shkencorë të R. së Maqedonisë nga radhët e Lëvizjes BESA

Intervistë me drejtorin e ri Driton Sulejmani, të Muzeut Natyroro-Shkencorë të R. së Maqedonisë nga radhët e Lëvizjes BESA;

 

1.Kush është Driton Sulejmani, drejtori i ri i Muzeut Natyroro-shkencorë të Republikës së Maqedonisë në Shkup, nga radhët e Lëvizjes Besa?

 

Jam i lindur më 28.07.1984 në Kumanovë. Rrjedh nga një familje intelektuale që në përgjithësi janë të kyçur dhe me vite kontribuojnë në sistemin arsimorë të vendit tonë në të gjitha nivelet. Shollën fillore dhe të mesme i kam kryer në Kumanovë, ndërsa studimet universitare në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, fakulteti i Administratës së Biznesit, dega Marketing. Jam brezi i tretë në familje me studime universitare të mbaruara. Karrierën e kam filluar në një firmë private në pozicionin e ndihmës menaxherit,  ku kemi qenë pjesë e projektit për kartelat elektronike shëndetësore. Pas kësaj, gati 9 vite kam punuar si profesor në shkollën e mesme tregtare “Cvetan Dimov” Shkup, ku kam ligjëruar lëndët ekonomike. Gjithashtu kam qenë pjesë edhe e sektorit joqeveritar, ku kam marrë pjesë në realizimin e projekteve të ndryshme nga sfera e bujqësisë dhe kulturës të financuara nga USAID-i dhe organizata tjera. Kam ndjekur edhe shumë seminare dhe trajnime të ndryshme për menaxhim, negociata,  planifikim strategjik, marketing etj, për të cilat edhe posedoj certifikata përkatëse. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë.

 

  1. Si e keni gjetur drejtorinë të cilën po e drejtoni tani, me çfarë problem jeni ballafaquar në fillim të detyrës suaj?

 

Fillimisht  dua të potencoj se për mua paraqet privilegj dhe kënaqësi që drejtoj një institucion kulturorë-shkencorë, duke pasur parasysh faktin se sa e rëndësishme është kultura dhe shkenca për shoqërinë tonë, e në veçanti për rininë. Muzeun e kam gjetur në një gjendje mesatarisht të mirë, sidomos për faktin që nuk kam trashëguar borxhe të institucionit. Po gjithsesi edhe ky institucion si shumë institucione tjera, ballafaqohet me probleme të natyrave të ndryshme. Problemi kryesorë që kam detektuar  brenda institucionit që drejtoj është numri shumë i vogël i të punësuarve, e cila detyrimisht sjell edhe shumë vështirësi në realizimin e punëve dhe detyrave brenda institucionit. Funksionimin normal i institucionit  (para 15 viteve institucioni ka pasur 35 të punësuar, ndërsa tani me pensionimin e disave nga këta të punësuar vendet nuk janë plotësuar) dhe numri i vogël i vizitorëve në muze janë edhe probleme të theksuara në funksionimin e këtij institucioni. Problem paraqet edhe përfaqësimi adekuat i shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike, ku nga numri total i të punësuarve që është 17, vetëm 1 është shqiptarë, ndërsa fatkeqësisht asnjë nga bashkësitë tjera etnike.

  1. Cilat janë planet në të ardhmen në këtë drejtori, a ka hapsirë që deri sa ju ta drejtoni këtë institucion të keni plane konkrete për zhvillimin, cilësinë dhe profesionalizimin e institucionit që drejtohet nga ju?

 

Nga analizat që kam bërë pas marrjes së detyrës konstatoj se ka mjaft hapësirë për zhvillimin dhe rritjen e këtij institucioni. Mendoj se prioritet kryesorë është rritja e numrit të vizitorëve individual, ku këtë planifikoj ta bëj duke realizuar aktivitete të ndryshme promovuese dhe marketingut,  gjë e cila mendoj se do të ndikoj në rritjen e buxhetit të muzeut, që pastaj do mundësojë stabilitet dhe likuiditet financiar brenda saj. Gjithashtu, kemi planifikuar përmes një projekti me mjete buxhetore, të vizitojmë shkolla fillore dhe të mesme, ku do të japim oferta të volitshme për nxënësit, me çka do t’i motivojmë dhe nxisim ata që të vizitojnë muzeun tonë. Mendoj se nxënësit këtu do të kenë mundësi  për së afërmi të praktikojnë njohurit nga lëndët e biologjisë dhe natyrës, me ç ‘rast kjo do t’ju ndihmonte  shumë në zhvillimin dhe njohurit e tyre. Kjo gjithsesi do të na ndihmonte edhe në rritje të numrit të vizitave kolektive dhe grupore në institucion. Kemi konkurruar në ministri edhe me projekte tjera vjetore, projekte këto që kanë të bëjnë me aktivitete në terren, pra mbledhjen e materialeve për nevojat e muzeut dhe pasurimit të ekspozitave brenda saj.

Si prioritet tjetër do të jetë edhe rritja e numrit të punëtoreve, kjo gjithsesi do të mundësonte realizimin normal të detyrave dhe punëve të institucionit dhe funksionimit të saj. Gjatë vitit të ardhshëm, vetëm se kemi planifikuar punësime të reja, punësime këto që do të kenë parasysh përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të gjitha bashkësive etnike në vend, profesionalizmin dhe meritokracinë.

Prioriteti ynë është që Muzeun ‘’Natyroro – Shkencorë’’ në Shkup, ta shndërrojmë  në një vend atraktiv dhe të hapur për të gjithë qytetarët e vendit, ku detyrimisht do të kishim dashur të vendosim ura bashkëpunimi edhe me muze të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, që kështu të arrijmë efekte të frytshme  për qytetarët në përgjithësi.

Për në fund, dua të theksoj se gjatë mandatit tim sa jam këtu me detyrë, unë institucionin që drejtoj do të mundohem ta udhëheq maksimalisht me profesionalizëm, dinjitet, përkushtim, etik dhe sipas normave ligjore. Parimet e menaxhmentit, siç janë: planifikimi, organizimi, koordinimi, motivimi dhe kontrolli dhe parimet etike do të jenë shtyllat bazë të funksionimit institucional, me çka shpresoj se do të kontribuoj në rritjen dhe zhvillimin efektiv të institucionit që drejtoj. Shpresoj  se nuk do të mungoj as përkrahja e Ministrisë së Kulturës, në realizimin dhe përpilimin e projekte që së shpejti pritet të realizohen për qytetarët në vend. /besabese.com