Ish-ministrja Kamçevska thotë se nuk ka manipuluar në tender (Video)

Ish ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska nuk ndjehet fajtore për tenderin e paligjshëm lidhur me punimet në muzeun e VMRO-së. E pyetur nga gjykatësi Osman Shabani nëse e kupton akuzën që i ngarkohet, Kançevska tha se e kupton tekstin e shkruar të akuzës por jo edhe bazën e akuzës pasi siguron se asnjë veprim i saj si ministre nuk ka qenë i paligjshëm.

ELIZABETA KANÇEVSKA MILEVSKA

“E kuptoj tekstin e akuzës por nuk e kuptoj se ku duket keqpërdorimi. Unë dhe komisioni i kemi respektuar të gjithë procedurat”

Të njëjtën e thanë edhe anëtarët e Komisionit për Furnizime Publike të Ministrisë së Kulturës që akuzohen se kanë mbyllur sytë ndaj shkeljes ligjore. Të akuzuarat Lidija Llazarova Cvetkovska dhe Juliana Ugrinovska thanë se ato vetëm kanë respektuar ligjet pa favorizuar askënd.

Por, prokurori Stefço Donev nga PSP-ja nuk pajtohej me këto deklarata. Ai tha se do të dëshmojnë që Kançevska është marrë vesh me drejtuesit e firmës “Beton” që ata t’i nisin punimet pa konkurruar në tender dhe ndërkohë Kançevska do ta rregullonte punën me Komisionin për Furnizime Publike që t’ia ndajë tenderin kësaj firme. Donev tha se firma “Beton” ka filluar punimet ende pa lidhur kontrata dhe ndërkohë tenderi është rregulluar në mënyrë që ta fitojë “Betoni” i cili ka qenë firma e vetme që i plotësonte gjithë kushtet e paraqitura.

STEFÇO DONEV, PROKUROR

“Do të dëshmojmë se të akuzuarit e kanë ditur se kompania “BETON Shtip” tashmë ishte duke i zhvilluar punimet e parapara në tender por ata janë sillur sikurse nuk po ndodhë një gjë e tillë, dhe formalisht kanë vazhduar me zhvillimin e procedurës. Prej provave duket se Lidija Llazarova Cvetkovska dhe Julijana Ugrinovska, si anëtarë të Komisionit për furnizime publike, kanë vlerësuar kompaninë Beton Shtip si ofertën më të volitshme, ndërsa Kançevska Milevska ka lidhur kontratën në vlerë prej 62 milionë denarësh”

Avokati i Kançevskws tha se nuk ekziston fare vera e keqpërdorimit të pozitës zyrtare

SASHO DUKOVSKI, AVOKAT

“Për të ekzistuar vepra keqpërdorim i pozitës zyrtare duhet para së gjithash duhet të ekzistojë dëmi ose përfitimi. Për këtë shkak përdoret floskula për gjoja favorizimin e një kompanie pa treguar nëse me këtë favorizim që nuk ekziston, i është bërë ndonjë dëm buxhetit të shtetit”

Në fillim të procesit gjyqësor, gjykatësi Osman Shabani refuzoi kërkesat e mbrojtjes për të refuzuar bombat si prova në këtë proces, kështu që në seancën e ardhshme gjyqësore, pritet që të dëgjohen bombat.