Kreu i BESËS, Afrim Gashi:Urime anëtarësimi në NATO!

Të respektuar aktivistë dhe votues të Lëvizjes BESA,

Të dashur qytetarë,

 

Po ju drejtohem sot jo si rëndom kur ne, deputetët dhe drejtuesit e partive politike,që dalim në foltore dhe mbajmë fjalime të zakonshme, porse dua t’ju flas sot me seriozitetin më të madh politik, me dashamirësinë më të madhe njerëzore dhe përkushtimin më të madh etik.

 

Të dashur besatarë, seanca e sotme plenare nuk ishte një seancë dosido dhe prandaj nuk dua që ta trajtojmë si të tillë. Sot, kur ishim mbledhur që të flasim për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, ishim aty që ta hapin rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO. Mendoj se ky ishte momenti i pikërishëm me përmasa historike, i cili na ndërgjegjësoi për vendimin e rëndësishëm të cilin e morëm. Nuk është krejt njësoj fakti që ne i takojmë brezit të deputetëve dhe politikanëve që po i japim fund tranzicionit të mundimshëm dhe po hapim një faqe të re për mirëqenien e qytetarëve tanë.

 

Në fakt, çdo gjeneratë i ka sfidat dhe përgjegjësitë e veta. Rrjedhimisht, brezi jonë sot e kishte një sfidë të rëndësishme dhe, sigurisht, edhe një përgjegjësi po aq të rëndësishme. Sfida jonë ishte të përgjigjemi në pyetjen “A do t’i votojmë ndryshimet kushtetuese dhe ashtu të bëhemi anëtarë të NATO-s apo do të lejojmë të vazhdojmë me tranzicionin e paqartë e të lodhshëm?!”, ndërsa përgjegjësia ishte “Nëse ne jemi kundër ndryshimeve kushtetuese, rrjedhimisht kundër anëtarësimit në NATO, a jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike që e bartim si përfaqësues të popullit?!”.

 

Dhe, sot nuk ishte vështirë të pengohet anëtarësimi në NATO. Mjaftonte një deputet të jetë kundër nga 80-shi i nevojshëm në Kuvend dhe kjo arrihej. Ama, kjo njëherazi nënkuptonte se ashtu po i çojmë dëm 28 vjetët të shpresës së tranzicionit. Për këtë arsye, ne sot duhej të ishim më seriozë se kurdoherë jo vetëm në veprimtarinë tonë politike, por edhe në jetën tonë, sepse përcaktimi jonë sot mund ishte determinues për jetën e krejt qytetarëve tanë nesër. Madje, edhe të shumë brezave pas nesh. E kur jemi këtu, do të më lejoni të përmend disa momente dhe elemente që mbase janë të rëndësishme të thuhen.

 

Në botë ekzistojnë mbi 6.000 grupe të ndryshme etnike e gjuhësore, por janë vetëm 195 shtete, mes tyre vetëm 44 në Europë. Pra, të kesh një shtet kjo nuk është një arritje e paktë, ndërsa të kesh një shtet të konsoliduar dhe të orientuar sipas kërkesave të shumicës së qytetarëve të tij, ky është një sukses i dyfishtë, që mund të quhet edhe një fat i madh. Prandaj, nëse Maqedonia është sot një shtet më vete, ky është një sukses që pak kombe në botë e gëzojnë. Andaj, të qenit shtet sovran nuk është një punë e vogël.Madje, mund të themi se ky është kulmi i organizimit formal shoqëror. Dhe kur jemi këtu, do të themi se – ndonëse Republika e Maqedonisë është bërë shtet që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – nuk duhet të na vijë turp ta pranojmë se konsolidimi i saj si shtet vazhdon edhe sot. Fakti që ne deri sot kemi pasur një shtet të kontestuar dhe të bllokuar për t’u bërë pjesë e botës së zhvilluar, është mjaft domethënës për këto rezultate. Maqedonia Demokratike Federale, pastaj Republika Popullore e Maqedonisë, më vonë Republika Socialiste e Maqedonisë, nga pavarësia Republika e Maqedonisë dhe e prаnuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, janë të gjitha faza drejt konsolidimit të këtij shteti. Mund të mos na pëlqejë, por e vërteta është se ky proces akoma vazhdon, me shpresë se këtu është fundi i këtij rrugëtimi për shtetndërtim. Më në fund ky shtet u desh t’i pranojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, duke e marrë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, që – përveç njohjes nga fqinjët dhe njohjes në OKB – kështu e ka hapur edhe procesin e kalimit të tranzicionit, anëtarësimin në aleancën më të madhe dhe më të fuqishme botërore të sigurisë, siç është NATO, dhe bisedimet për aderim në BE. Në këtë mënyrë përfundojnë dy procese dhe hapen dy perspektiva: përfundon konsolidimi i shtetndërtimit dhe përfundon tranzicioni, ndërsa hapet perspektiva e stabilitetit dhe sigurisë, pra vendoset paqja afatgjate, dhe hapet perspektiva që ky shtet të bëhet pjesë e vendeve të BE-së, që nënkupton shtet të njëmendtë të së drejtës, të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të mirëqenies. Dhe, nëse është kështu, ndërsa ne tashmë të gjithë e shohim se nuk ka si të jetë ndryshe, unë dua t’ju bind se, pavarësisht arsyeve pse u desh të ndërrohet emri i shtetit, përfitimi është historik dhe më shumë se pritjet e rëndomta nga një marrëveshje bilaterale.

 

Sigurisht që sot ishte i rëndësishëm edhe fakti se çka mendojnë shqiptarët në Maqedoni përkitazi me këtë temë. Këtu do të më lejoni t’ju them se ne shqiptarët përfundimisht duhej të deklaroheshim se çfarë Maqedonie duam. Nuk mundet më që natën të shohim ëndrra të tjera, ndërsa ditën të përjetojmë realitet tjetër. Ky është frustrim. Prandaj u desh ta ndajmë mendjen: Cili është interesi më i lartë shqiptar në Maqedoni?; A duam ne shtet stabil?; A duam ne shtet pa tensione dhe kriza?; A duam ne shtet të së drejtës?; A duam ne shtet demokratik?; A duam ne shtet të barazisë?; A duam ne shtet të zhvilluar? A duam ne shtet ku neve na jepet mundësia e realizimit etnik, arsimor dhe kulturor?. Meqë besoj se përgjigja e këtyre pyetjeve – më shumë retorike – është pozitive, do të më lejoni të them se “Pasi që të gjithë themi PO, atëherë mënyra më e mirë që kjo të ndodhë është që të këto ndryshime kushtetuese të kalonin dhe të fillojë ky proces i ribërjes vlerore të Maqedonisë. Një Maqedoni si shtet anëtar i NATO-s dhe kandidat për aderim në BE, edhe sikur të mos dëshirojë, do të jetë e detyruar t’i implementojë standardet perëndimore të jetës multietnike dhe multikulturore, ndërsa drejtësia dhe mirëqenia ekonomike vetëm në atë mënyrë mund të shpresojmë se do t’i kapërcejnë paragjykimet dhe kufizimet e deritanishme etnike e politike.

 

Shqiptarë të dashur të këtij vendi, unë e di se ne kemi edhe plot synime dhe dëshira për ta ngritur nivelin e mirëqenies sonë kombëtare në Maqedoni, e di se ka mbetur shumë për t’u bërë në drejtim të statusit tonë si komb në Maqedoni, por edhe në aspekt të drejtësisë, në aspekt të përdorimit të gjuhës shqipe, të cilësisë së arsimit e, në përgjithësi, në aspekt të cilësisë së jetës së shqiptarëve të Maqedoni. Por, po ta shtrojmë pyetjen: ato gjëra që nuk i ndryshuan dot as 28 vjetët e tranzicionit, madje as lufta e vitit 2001, si mendoni se mund të ndryshonin në këto kushte?! Prandaj, unë jam i bindur se me këto ndryshime kushtetuese nuk ka përfunduar bota dhe kushtetuta nuk është mbyllur hermetikisht që mos të hapet më asnjëherë. Ne duhet të kishim mirëkuptim, madje edhe empati, për procesin në të cilin ndodhej vendi, për bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe për të gjithë qytetarët tjerë të Maqedonisë, por edhe për çastin e rëndësishëm historik të sigurisë dhe stabilitetit dhe të mos ishim  joseriozë. Për mua akti më i lartë patriotik shqiptar sot është anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave për aderim në BE. Në kushte të NATO-s dhe BE-së ne do të kemi mundësi që, pa presione dhe frikë nga njëri-tjetri, por në saje të argumenteve dhe diskutimeve të sinqerta, të flasim se si shteti të bëhet më funksional, si të korrigjohen përkufizimet ose definicionet e gabuara, pra të ridefinohen temat që e funksionalizojnë shtetin, dhe të punojmë çdo ditë në avancimin e këtij shteti. Interesat shqiptare në këtë shtet nuk janë të ndara nga interesat e qytetarëve të tjerë. Nuk mundemi ne shqiptarët të sillemi se nuk na intereson asgjë, pos interesit tonë. Siç nuk duhet të lejojmë që dikush të sillet me neve si ndaj pakicave etnike. Me gjithë respektin që kemi për bashkëqytetarët tanë turq, vllahë, boshnjakë e romë, e vërteta e së vërtetës është se shqiptarët përbëjnë së paku ¼ e këtij shteti dhe nuk janë vetëm një bashkësi etnike, që është një sinonim për minoritet ose pakicë, por janë shtylla e dytë më e fuqishme e këtij shteti dhe kështu duhet të trajtohen edhe nga shteti, ashtu duhet të shihen edhe nga bashkëqytetarët maqedonas, por edhe të vetëperceptohen ashtu.

 

Qytetarë të dashur, unë i takoj një gjenerate të shqiptarëve, të cilët nuk janë indiferentë ndaj shtetit të tyre, duke u interesuar gjoja vetëm për shqiptaret, për të përfunduar në fund te rrethi më i ngushtë shoqëror, te familja ose, krejt në fund, te vetvetja e tyre. Dëshiroj të kemi më shumë ndjesi dhe interesim për shtetin, dëshiroj ta projektojmë një shtet të drejtë dhe funksional, sepse vetëm ashtu ai mund të jetë shtet i mirë edhe për shqiptaret dhe për të gjithë të tjerët!

 

Të gjendur në këtë situatë, pas gjithë kësaj e thashë, unë ju ftoj ta kuptojmë se interesi jonë, edhe etnik edhe shtetëror, por edhe më gjerë në suaza gjeopolitike, realizohet dhe përputhet me implementimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe të mos harrojmë se vendimi jonë sot ishte një vendim që e përcakton të ardhmen e shumë gjeneratave. E neve nuk falej të jemi joseriozë dhe të papërgjegjshëm ndaj atyre. Sot ne kishim mundësi të dëshmojmë se, atëherë kur u shfaq sfida dhe përgjegjësia, në cilën anë ishim ne.

E, ne deputetët e Lëvizjes BESA sot ishim aty në sallë që të dëshmojmë se ne ishim dhe jemi PËR interesat strategjike shtetërore, por edhe PËR të ardhmen e ndritur të qytetarëve shqiptarë, të cilët ne i përfaqësojmë. Për neve nuk ka rrugë tjetër të mirëqenies, pos kësaj, andaj jemi këtu që ta ecim këtë rrugë dhe t’i ftojmë të gjithë të na bashkohen.

 

Urime Republika e Maqedonisë së Veriut!

Urime anëtarësimi në NATO!

 

Ju faleminderit!

 

Afrim Gashi,

kryetar i Lëvizjes BESA

 

Shkup, 11.01.2019