Kryetari i BESËS, Afrim Gashi: Urime! Sot përfunduan konsolidimi i shtetndërtimit dhe periudha e tranzicionit

 

 

Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, ka shkruar:

 

Republika e Maqedonisë është bërë shtet që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – nuk duhet të na vijë turp ta pranojmë se konsolidimi i saj si shtet vazhdon edhe sot. Fakti që ne deri sot kemi pasur një shtet të kontestuar dhe të bllokuar për t’u bërë pjesë e botës së zhvilluar, është mjaft domethënës për këto rezultate. Maqedonia Demokratike Federale, pastaj Republika Popullore e Maqedonisë, më vonë Republika Socialiste e Maqedonisë, nga pavarësia Republika e Maqedonisë dhe e prаnuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, janë të gjitha faza drejt konsolidimit të këtij shteti. Mund të mos na pëlqejë, por e vërteta është se ky proces akoma vazhdon, me shpresë se këtu është fundi i këtij rrugëtimi për shtetndërtim. Më në fund ky shtet u desh t’i pranojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, duke e marrë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, që – përveç njohjes nga fqinjët dhe njohjes në OKB – kështu e ka hapur edhe procesin e kalimit të tranzicionit, anëtarësimin në aleancën më të madhe dhe më të fuqishme botërore të sigurisë, siç është NATO, dhe bisedimet për aderim në BE. Në këtë mënyrë përfundojnë dy procese dhe hapen dy perspektiva: përfundon konsolidimi i shtetndërtimit dhe përfundon tranzicioni, ndërsa hapet perspektiva e stabilitetit dhe sigurisë, pra vendoset paqja afatgjate, dhe hapet perspektiva që ky shtet të bëhet pjesë e vendeve të BE-së, që nënkupton shtet të njëmendtë të së drejtës, të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të mirëqenies. Dhe, nëse është kështu, ndërsa ne tashmë të gjithë e shohim se nuk ka si të jetë ndryshe, unë dua t’ju bind se, pavarësisht arsyeve pse u desh të ndërrohet emri i shtetit, përfitimi është historik dhe më shumë se pritjet e rëndomta nga një marrëveshje bilaterale.