Latif Mustafa: Asaf Ademi po jep një leksion demokracie që i ka munguar gjatë këtij vendi

 

 

Më bëri përshtypje reagimi histerik ndaj ministrit Asaf Ademi. Normalisht që, prapavija e një reagimi të tillë mund të jetë e tokëzuar në kalkulimet e ardhshme për president, ndryshimet në qeveri dhe fatin e subjektit prej të cilit vjen vetë ministri. Përkundër kësaj, ministri Ademi për mendimin tim, po jep një leksion demokracie që i ka munguar gjatë këtij vendi. Edhe atë për dy gjëra: e para, dispozicioni i tij që në prezencë të medieve të rishikojë projektet që nuk kaluan në komisionin përkatës; e dyta, gatishmëria e tij për të dhënë dorëheqje. Reagimet histerike erdhën nga të dy kampet politike maqedonase, përfshi këtu edhe tentakulat e tyre në shoqërinë civile dhe “intelektuale”. Këto reagime zbulojnë një perspektivë të re të një të vërtete të vjetër. Reagimet po shpalosin një lloj nomenklature apo rrjet të “mafies kulturore” që ka vepruar nën hije; e që çdo zhbalancim të parametrave brenda saj e interpreton si përpjekje nacionaliste të shqiptarëve si dhe mendësinë politike të shumë akterëve politik maqedonas të cilët kulturën e konceptojnë si hegjemoni dhe mekanizëm të klasifikimit shtresor të përkthyer në terme të “superioritetit maqedonas” dhe “inferioritetit shqiptar”. Parimisht, kultura nuk është mekanizëm i stereotipizimit klasor vis-a-vis etnik, por është mundësi për shpalosjen e detajuar të diversiteteve etnike dhe si e tillë për të mbjellë dashurinë reciproke që krijohet nga të kundërtat dhe të ndryshmet. Тrumbetuesit e “zivot za site” duhet të çlirohen nga kolonizimi i superioritetit hegjemonik kulturor, sado që i dhembshëm mund të jetë ky proces. Për ndryshe ideali i shoqërisë “jetë për të gjithë” mbetet veç një pluskim demokratik i varur në grepin e një narracioni histerik të historisë”, ka shkruar publicisti Latif Mustafa.