Lëvizja BESA: Kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, në drekë pune me ambasadorin francez në Shkup, z. Kristian Timonie

Ambasadori i Francës në Shkup, Shkëlqesia e tij z. Kristian Timonie, e priti në rezidencën e tij kryetarin e porsazgjedhur të Lëvizjes BESA, Afrim Gashin, të shoqëruar nga anëtarët e Këshillit Qendror, Zeqirija Ibrahimi dhe Orhan Murtezani.

Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Lëvizjes Besa, Afrim Gashi sot ishte i ftuar në drekë pune nga ambasadori francez në Shkup, z. Timonie. Në këtë takim Ambasadori Francez e uroi përzgjedhjen e z. Gashit në krye të Lëvizjes Besa dhe shprehu gatishmërinë e tij për mbështetjen e proceseve për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit.

Me këtë rast në atmosferë miqësore u diskutua për zhvillimet politike në vend, për kontributin dhe angazhimin e Lëvizjes BESA për sfidat që e presin vendin në të ardhmen e afërt, si anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe rrugëtimi i saj drejt BE-së.

Në fund të takimit, kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, e falënderoi Ambasadorin Francez për mikpritjen dhe angazhimin e shtetit francez në demokratizimin dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Gjatë ditëve në vijim pritet që kryetari i BESËS, Afrim Gashi, të ketë takime edhe me përfaqësues të tjerë diplomatikë në vend.