Copy Code

Maqedonia-rruga nëpër të cilën rrallë kalohet

Hamdi Nuhiju

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Ballkan, Federika Mogerini sot gëzoi Maqedoninë dhe Shqipërinë si dhe banorët e saj, por më shumë gëzoi garniturat politike në pushtet. Me Shqipërinë po nis një fazë e re e bisedimeve për integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa me Maqedoninë do të hap kapitujt për ta integruar në NATO. Ndryshimi i kursit të qeverive në Shkup dhe Tiranë si duket ka hapur shpresën për të shprehur hapur shenjat pozitive për përmbylljen e një procesi të rëndësishëm politik.
Koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski në një intervistë për portalin Almakos, në pyetjen se cilat janë rreziqet për Maqedoninë nëse vazhdon që të ngel jashtë NATO-s dhe nuk nisim bisedimet me Bashkimin Evropian, vlerëson se njëra prej problemeve kryesore pse ne jemi jashtë NATO-s është regjimi i kaluar dhe qasja e atij regjimi si dhe profili psikologjiko-politik të udhëheqësve të atij regjimi.
Sipas tij, NATO dhe BE në një mënyrë janë edhe shkolla të demokracisë dhe Maqedonia për t`u bërë pjesë e atyre instancave duhet që të kaloj në procesin e demokratizimit të institucioneve dhe gjyqësisë.
Në anën tjetër fryma politike e qeverisë në Shkup si dhe nisja e reformave përmes miratimit të ligjeve bazë reformuese, si dhe pres konferenca e sotme e Federika Mogerinit topin e hedhin në demokracinë dhe institucionet politike greke. Sa do të janë ato të afta që të gjejnë një gjuhë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me Maqedoninë. Për çdo ditë lexojmë deklarata të ndryshme negative që gjithë këtë frymë optimizmi që mbisundon në Shkup po sigurohen që të cenohet.
Ambasadat e huaja kohët e fundit janë tepër aktive në terren në Maqedoni dhe Greqi për të përgatitur opinionet si brenda dhe jashtë vendit që kjo marrëveshje të finalizohet me sukses.
Jo zyrtarisht merret vesh që edhe ato pak zëra kundër liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, janë heshtur nga ana e ambasadave të huaja duke amnistuar të njëjtin dhe duke mos lejuar gabime në përmbylljen e një procesi tejet të vështirë.
Tashmë kryeministri Zoran Zaev rrugën e ka të hapur. Ai do të krijoje edhe një shumicë stabile parlamentare, si dhe afrimi i zgjedhjeve presidenciale i mundëson atij që të heq nga terreni edhe pengesën e fundit politike dhe institucionale. I vetmi rrezik i kësaj qeverie është manipulimi dhe mos ndryshimi i ligjeve që kanë të bëjnë me rregullimin e sferës mediale. Ky boshllëk i qëllimshëm mund që kartën e pozitivizmit dhe rrugën euroatlantike të Maqedonisë ta rikthej në një diktaturë ose regjim të ri si në kohën e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.
Përsëritja e skenave si në kohën e Gruevskit do të dëmtonte shumë rikthimin e besimit në institucionet e shtetit. Kushti bazë për të ecur Maqedonia para është që qytetarët e këtij vendi të kanë besim të plotë në institucionet e këtij shteti.
Kërcënimi i hapur i kryeministrit Zoran Zaev ndaj administratorëve se do t`u ngrij rrogat nëse ata nuk do të punojnë është një thikë me dy tehe. Përmes vënies në punë, ai vë edhe kontrollin e plotë mbi atë administratë të partizuar në tërësi, edhe pse ana tjetër paraqet reflektimin e meritokracisë për të punuar dhe shërbyer.
Boshllëku i qëllimshëm në sferën mediale dhe vënia në punë e administratës publike duke shtuar orarin në institucionet publike janë dy mekanizma që na lënë hapur rezervat se Maqedonia është një rrugë nëpër të cilën rrallë kalohet.