Copy Code

Mediat greke: Rama përpiqet të kthejë fantazmën e Shqipërisë së Madhe

Mediat greke e kanë komentuar dhe etiketuar si një dëshirë të shqiptarëve për Shqipërinë e madhe deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për një president të përbashkët midis Kosovës dhe Shqipërisë.

“Fantazma e Shqipërisë së Madhe zgjohet përsëri, për t’u bërë realitet”, apo “Edi Rama ëndërron si Erdogan; kufijtë e zemrës të bëhen një ditë realitet”, këto janë frazat e përdorura në “Alpha Tv”.

“Deklarata bombë e Ramës që mori përgjigje të menjëhershme nga zëdhënësja e Komisionit të BE-së për Politiken e Jashtme, për rrezikshmërinë e lartë të ndryshimit të kufijve, mbetet ëndrra shqiptare”, kështu citon “ANT1 TV”.

Deklarata e kryeministrit shqiptar është publikuar në çdo media, të shkruar dhe vizive greke, duke u komentuar se bie ndesh me deklaratat e Koxias për marrëveshje miqësore.

Përndryshe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës sugjeroi që Kosova dhe Shqipëria të kenë një President të përbashkët dhe sipas tij kjo mund të realizohet pas dhjetë vitesh.