“Monstra”, familjarët e viktimave të zhgënjyer me Zaevin

Prindërit e të vrarëve në liqenin e Smillkovës, kërkojnë zbardhjen e sekreteve shtetërore në rastin Monstra. Bëhet fjalë për emrat e 5 personave, që sipas tyre janë funksionar të BDI-së. Goran Naqevski, prind i Aleksandër Naqevskit të vrarë theksoi se në njërën nga bisedat e transkriptuara që ka lexuar, bisedë zhvillohet mes nënkryetarit të BDI-së, Nevzat Bejta dhe të akuzuarit Fejzi Aziri.

Në njërin nga takimet që kishim me Zoran Zaev na tha se 5 numrat e telefonit janë të 5 funksionarëve të BDI-së, ku mes tjerash na tregoi edhe një transkriptë mes nënkryetarit të BDI-së, Nevzat Bejta dhe të akuzuarit Fejzi Aziri. Nuk na dha transkriptimet, pasi që thoshte se kjo përbën vepër penale. Për këtë arsye, kërkojmë nga gjykata të jep urdhër për bastisje në selinë e LSDM-së dhe t’i marrë ato dokumente. Kërkojmë që edhe Zaevi nën kujdes të sillet në gjykatë dhe të ballafaqohet me të gjithë prindërit që ta kuptoni se e flasim të vërtetën – deklaroi Goran Naqevski, Prindi i viktimës Aleksandër Naqevski.

Naqevski hodhi poshtë pretendimet se vetura e dyshimtë Opel Omega ka qenë e MPB-së. Sipas tij, nëse kjo vërtetohet atëherë duhet procedura të ndalojë dhe të akuzuarit të shpallen plotësisht të pafajshëm. E ëma e Aleksandër Naqevskit, para trupit gjykues komentoi bisedën telefonike mes Bejtës dhe Azirit, që sipas saj i akuzuari i ka shpjeguar një ëndërr nënkryetarit të BDI-së. Ajo kërkoi që t’i kthehet celulari i djalit të saj. Nga ana tjetër edhe familjarët kërkojnë që të zbardhen sekretet me qëllim që e vërteta të dalë në shesh. Bedri Ajdari, kërkon që të publikohet biseda mes Nevzat Bejtës dhe Fejzi Azirit. Ajdari pranon se vëllai i tij ishte i afërt me BDI-në.

I kuptoj prindërit të cilët janë të frustruar, po nuk tolerohet fyerja dhe komentimi i njerëzve privat. Sikur të më jepet rasti edhe unë të komentojë se si atyre nuk u erdhi turp të marrin para nga shteti dhe për çfarë, për fëmijët e tyre dhe pse nuk u angazhua Goran Naqevski të tregojë se i cilit prej agjentëve ishte telefoni dhe çfarë fotografie kishte ai njeri. Nuk e di unë se a posedon ose jo Zaev transkriptime për çfarë është biseduar. Unë do të doja të publikohet ajo pavarësisht se është e siguruar me masa të veçanta, lirisht le ta hapin atë telefonatë – tha Bedri Ajdari, Familjar i të akuzuarve.

Seanca e sotme ku ishin paraparë fjalët hyrëse u anulua për shkak të mungesës së Fejzi Azirit, i cili nuk ka mundur të jetë prezent për arsye shëndetësore. Megjithatë dokumenti që prezantoi mbrojtja, nuk ishte relevant për Specialen. Prokurorja, Fatime Fetai, duke potencuar se organi Special i akuzës është gati për zbardhjen e plotë të rastit, kujtoi se mungesa të tilla janë të patolerueshme.

Nuk mohohet fakti mbi interesin e madh të opinionit për vërtetimin juridik të së vërtetës e cila mund të arrihet përmes një procedure të re dhe korrekte. Në këtë drejtim mund të them se besoj se PSP-ja do t’i shfrytëzojë të gjitha resurset njerëzore, teknike dhe materiale për të arritur deri tek e vërteta dhe vërtetimi i saj – u shpreh Fatime Fetai, Prokurore Speciale.

Avokatët e palëve njëzëri kërkojnë që të zbardhet e vërteta me qëllim që të mos ketë dilema.

Më gëzon fakti që PSP-ja dëshiron sa më shpejt ta zbardhe këtë rast dhe mendoj se shumë shpejtë do të gjinden edhe kryerësit e vërtet të veprës – tha Naser Raufi, Avokat i të akuzuarve.

Nuk ka rehati derisa nuk gjenden kryerësit e vërtet të veprës penale. Nuk mbaron asgjë vetëm me sjelljen e ndokujt para gjyqit, por duhet të gjendet personi i vërtetë që e ka bërë këtë vepër kaq të keqe – u shpreh Dafinka Ivanovska, Avokat e të dëmtuarve.

Seancat e radhës u caktuan për më 15 dhe 25 maj, si dhe tjetra për më 12 qershor. Edhe në këtë seancë munguan Alil Demiri dhe Afrim Ismajloviq, të cilët sipas gjykatës janë të pakapshëm për organet hetuese. Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovcën në vitin 2012 me burg të përjetshëm u dënuan gjashtë persona: Halil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq. Nga akuza ishte liruar Rami Sejdii. Më 24 nëntor 2017, Gjykata Supreme vendosi për kthimin e lëndës në rigjykim.

Adrian Kerimi