MOTI I MARRËVESHJEVE NË MAQEDONI

Maqedonasit do të duhej të hapnin një diskutim të ri me shqiptarët, me partitë politike shqiptare, me intelektualët shqiptarë, por edhe me faktorin ndërkombëtar që të gjendet një zgjidhje dhe të arrihet një marrëveshje, që i bën shqiptarët faktor inkluziv, shteformues dhe stabilizues të shtetit

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Më në fund Odiseu arriti në Itakë. Marrëveshja Prespës u votua edhe në parlamentin grek, me çka mori fundi odiseada gati tridekadëshe rreth problemit të emrit të Maqedonisë, por edhe agonia e tranzicionit të vendit, që sa mbërrinte në dyert e Brukselit, ia tregonin kartonin e kuq të fqinjit të saj jugor. Në këtë mënyrë Republika e Maqedonisë ose, më saktë tashmë, Republika e Maqedonisë së Veriut po e përmbyll edhe procesin e shtetndërtimit të saj. Prejse e mori pushtetin LSDM-ja, ardhja e së cilës kishte një kosto mjaft të lartë, megjithatë u arrit të përmbyllen dy procese shumë të rëndësishme dhe të hapura për ndërtimin e shtetit.

Traktati i Miqësisë

Pas shumë viteve kontestime të ndryshme nga ana e fqinjit lindor, pra Bullgarisë, më në fund më 1 gusht 2017 kryeministri i Maqedonisë, Zaev, dhe ai bullgar, Borisov, e nënshkruan Traktatin e Miqësisë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, me të cilën iu vu kapak shumë problemeve të hapura për vite me radhë. Për ta freskuar kujtesën, do të themi se Bullgaria e kontestonte gjuhën maqedonase, kombin maqedonas dhe, madje, edhe historinë e kombit maqedonas dhe të shtetit të Maqedonisë. Pra, ishin çështje të hapura identitare. Duke zgjedhur që një pjesë të asaj historie ta trajtojnë si pronë të përbashkët etnike, Maqedonia ia doli ta përmbyllë me sukses kontestin me Bullgarinë, duke përfituar kështu një aleat edhe në rrugën e integrimeve euroatlantike, por edhe një partner serioz ekonomik, si edhe – që po ashtu është shumë me rëndësi – një mbështetës për njohjen e Kishës Ortodokse Maqedonase.

Dhe, ajo që duhet thënë me këtë rast e që gati se nuk është thënë askund, shqiptarët në Maqedoni, pra edhe përfaqësuesit politikë shqiptarë – të pozitës e të opozitës, e mbështetën këtë dhe i dolën në krah qëndrimit të kryeministrit Zaev për këtë marrëveshje. Natyrisht, kjo u kalua sikur të jetë gjëja më e lehtë dhe sikur “shqiptarët nuk kanë çka të kontestojnë në këtë traktat”. Për hir të së vërtetës, nuk është se shqiptarët nuk kishin se çka të thonë në këtë temë, por ata mbase heshtën për dy arsye: së pari, për shkak të empatisë ndaj bashkëqytetarëve të tyre maqedonas, që në atë rast kontestoheshin, dhe, së dyti, për shkak se kjo marrëveshje e hapte rrugën e integrimit euro-atlantik, që nënkupton edhe një shtet të sigurt dhe stabil. Por, e vërteta tjetër është se nuk u gjet gati askush t’ua thotë shqiptarëve asnjë “Faleminderit!” bile. Sikur shqiptarët ua kishin borxh këtë bashkëqytetarëve të tyre maqedonas e jo se kjo ishte një shenjë e dashamirësisë dhe e vullnetit të tyre të mirë.

Marrëveshja e Prespës

Ndonëse as problemi me Bullgarinë nuk ishte ndonjë gjë e lehtë, e vërteta më e madhe ishte se problemi me Greqinë ishte ku e ku më i madh. Derisa Bullgaria nuk e kishte bllokuar askund Maqedoninë për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve, Greqia kishte vënë veto se, pa ndryshimin e emrit të shtetit, Maqedonia nuk mund të integrohet as në NATO dhe as në BE. Prandaj në Kombet e Bashkuara ishte caktuar një emisar special për këtë kontest (Metthew Nimetz), i cili për vite të tëra kishte punuar në gjetjen e zgjidhjes.

Sidoqoftë, për shkak të konstelacioneve globale dhe ndryshimeve të shpejta e të rrëmujshme që ndodhin “në botën e të mëdhenjve”, që ia impononte Maqedonisë detyrimisht të bëhet pjesë e NATO-s, sepse “elektronet e lira” nuk mund të mbijetojnë, pas një presioni mbi të dyja palët, më 17 qershor 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, me të cilën shteti pranonte të quhej Republika e Maqedonisë së Veriut brenda dhe jashtë (erga omnes), ndërsa kombi do të vazhdonte të quhej maqedonas. Ndonëse kishte gjëra të paqarta se ç’bëhej me identitetin shtetëror, ishin shqiptarët ata që e panë këtë moment si një fitore të madhe, sepse kështu përfundimisht edhe shqiptarët mund të futeshin nën kupolën e NATO-s dhe të shpëtonim nga ndikimi antishqiptar serbo-rus. Dhe, kur jemi këtu, nuk mund të mos e themi publikisht se faktori maqedonas në vend, duke e gjetur kontekstin e volitshëm global rreth kësaj teme, gati aspak nuk pyeti se çka mendonin shqiptarët për Marrëveshjen dhe a kanë ata ndonjë qëndrim. Sigurisht, edhe shqiptarët nuk deshën të duken “cikërrimtarë” dhe nuk u kapën për detaje, sepse e shikonin pikturën e madhe të integrimit. Ç’është e vërteta, shqiptarët – pozitë dhe opozitë – ishin vota e sigurt e votimit të ndryshmeve kushtetuese. Edhe kjo kaloi sikur shqiptarët ua kanë borxh maqedonasve që të pranojnë çfarëdo marrëveshje që të arrijnë ata dhe, andaj, askush as kësaj radhe nuk u tha shqiptarëve një “Faleminderit për mirëkuptimin!”.

Kështu tash jemi në pikën kur Maqedonia përfundimisht mund ta marrë ulësen e saj në NATO dhe të presë që sa më shpejt edhe protokolli për anëtarësim të kalojë në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s dhe, tjetra, në qershor t’i hapë bisedimet për aderim në BE. Në këtë mënyrë shtetndërtimi i Maqedonisë merr formë dhe trajtë të qartë: shtet i vlerave perëndimore, shtet stabil në aspekt të sigurisë dhe shtet i gatshëm të përshtatet me standardet e shtetbërjes në Bashkimin Europian. Ky është, pak a shumë, rrëfimi i ri për Maqedoninë dhe përfundimi i ciklit të saj të shtetndërtimit.

Marrëveshja e pritur me shqiptarët

Dhe, derisa maqedonasit mund t’i kenë shtrirë këmbët që të bëjnë një sy gjumë, se i përfunduan dy procese të mëdha dhe të rëndësishme në lidhje me (ri)definimin e kombit dhe të shtetit të tyre, një zile tjetër që cingëron është pyetja se a mendojnë ata se ka përfunduar gjithçka dhe se nuk kanë asnjë kontest me askënd më? Ata po sillen sikur loja ka përfunduar, se tashmë dihet rezultati dhe se nuk ka asnjë arsye për minuta shtesë. Ndërkaq e vërteta është se procesi i ndërtimit të Maqedonisë si shtet vërtet gati ka përfunduar në plan të jashtëm, porse në plan të brendshëm ka mbetur shumë për t’u bërë. Dhe, kush nuk e di këtë, ose është naiv ose shtiret se nuk sheh ose nuk ia do të mirën këtij vendi.

Në Maqedoni edhe zyrtarisht jetojnë 25% shqiptarë (jozyrtarisht ka shifra mbi 30%-shin), që janë ¼ e shtetit, ndërsa në bazë të parametrave ndërkombëtare të ndërtimit të shteteve multietnike shqiptarët në Maqedoni janë në status të pakicës (minoritetit), që dikur quhej “kombësi”, pastaj “pakicë kombëtare” e së fundmi “bashkësi etnike”. Prandaj gjithnjë rrotullohet tema e gjuhës (dhe politikanë të caktuar përfitojnë nga çasti për t’u krekosur) ose tema të tjera etnike, qofshin simbolike ose reale juridike e politike, për të cilat shqiptarët konsiderojnë se janë të diskriminuar mbi baza etnike, por edhe religjioze.

Ndërkaq në palën maqedonase ekzistojnë dy palë me një qëndrim të njëjtë përkitazi me këtë çështje. Të dyja ato, pra edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE, e njohin Maqedoninë shtet të kombit maqedonas, ndërsa të tjerët në të i konsiderojnë si minoritete, rrjedhimisht edhe shqiptarët. Dallimi është se LSDM-ja këtë e mbulon me sloganin “Edno opshtestvo” (Një shoqëri e përbashkët), por gjithnjë duke u përpjekur që ta ruajë pronësinë dhe primatin e kombit maqedonas mbi shtetin, duke mos qenë e gatshme që ta ndryshojë statusin e shqiptarëve në kushtetutë, duke mos qenë e gatshme që edhe simbolet e shtetit të deetnizohen dhe duke mos qenë e gatshme që shteti qytetar të reflektohet në çdo fushë të jetës. Sigurisht se LSDM-ja këtë e luan me sukses, aq më shumë që një mori e madhe e shqiptarëve, qoftë të joshur nga interesa ekonomike ose nga fjalori “qytetar” i LSDM-së, janë tashmë votuesit e rregullt të saj dhe, madje, ata e bëjnë dallimin e suksesit të kësaj partie nga VMRO-ja. Në anën tjetër është VMRO-DPMNE-ja, e cila është edhe më transparente ndaj shqiptarëve, ashtu që as që dëshiron të dëgjojë a të flasë në temën se pronësia e shtetit duhet të jetë e ndarë edhe me shqiptarët. Derisa LSDM-ja belbëzon se “nuk më pengon që fëmija im të mësojë shqip”, por shqipen e kufizon me ligje që e mbajnë akoma në gjuhë të minoritetit, VMRO-DPMNE-ja e thotë hapur se “shqipja dhe gjuhët e tjera të pakicave janë konform Konventës Europiane për të Drejtat e Minoriteteve”. Pra, ngado që të vijë, rezultati është i njëjtë: shqiptarët në Maqedoni janë minoritet.

Drejt ridefinimit – për hir të interesave shtetërore

Megjithatë, kur është arritur në pikën që të mbyllen problemet me fqinjët, maqedonasit duhet ta lexojnë saktë se e kanë edhe një kontest real: shqiptarët nuk pranojnë të jenë në status të pakicës, sado që ajo mund të jetë pozitë e avancuar e minoritetit. Ata mund të mashtrohen edhe ndonjë vit me slogane për shtet të përbashkët qytetar e gjepura të tjera, por gjeneratat e reja shqiptare e dinë saktë se shqiptarët nuk mund të mbeten gjithnjë pakicë në Maqedoni. Sepse, pakica (minoritete) janë turqit, romët, serbët, boshnjakët e vllahët dhe, rrjedhimisht, nuk mund të jetë pakicë një e katërta e shtetit. As në aspektin ekonomik, as në atë demografik, as në atë politik, shqiptarët nuk mund të mbeten një “minoritet i avancuar”. E derisa ekziston ky problem, duke pritur që të dalë ai djaloshi i përrallës së Hans Kristian Andersenit e ta thotë troç se “mbreti është lakuriq”, dikush t’ua duhet t’ua kujtojë maqedonasve hapur (ashtu si ua thotë Vuçiqi serbëve dhe Thaçi kosovarëve se “patjetër duhet të merremi vesh mes vete”) se një ditë edhe maqedonasit patjetër duhet të merren vesh me shqiptarët brenda. Mbulimi i problemit nuk është zgjidhje. As aktrimi me shtet qytetar, as presioni me mjete të sigurisë nuk janë zgjidhje. Maqedonasit duhet ta kuptojnë këtë realitet, duhet ta dinë se gjysma e kufirit të Maqedonisë është me shqiptarë (së shpejti mund të jetë një shtet bile) dhe ta dinë se duhet të gjejnë një gjuhë për t’u marrë vesh me shqiptarët në Maqedoni. Natyrisht, edhe shqiptarët duhet ta kenë të qartë më se kanë përfunduar “ëndrrat që nuk mund të thuhen sot” dhe se e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni përfundimisht është në këtë shtet.

Nisur nga kjo, maqedonasit do të duhej të hapnin një diskutim të ri me shqiptarët, me partitë politike shqiptare, me intelektualët shqiptarë, por edhe me faktorin ndërkombëtar që të gjendet një zgjidhje dhe të arrihet një marrëveshje, që i bën shqiptarët faktor inkluziv, shteformues dhe stabilizues të shtetit. Ajo marrëveshje do të duhej të jetë e garantuar edhe nga Shqipëria, se ajo nuk ka pretendime territoriale, ndërsa do të duhej të arrihet nën mbikëqyrjen dhe patronazhin e SHBA-ve.

E pastaj, se a do të jetë ai shtet plotësisht qytetar, si SHBA-të, sigurisht me të gjitha nishanet e jo vetëm deklarativisht, por plotësisht i deetnizuar, apo do të jetë shtet që ua njeh shqiptarëve një status të kombit të dytë shumicë, pra që i ndan nga minoritetet, kjo është më temë e bisedimeve. Ama, se do të duhet të bëhet ky (ri)definim, kjo është e pashmangshme. Derisa bëhet (ri)definimi për shkak të presioneve të jashtme, pse të mos bëhet (ri)definimi edhe për nevoja të brendshme dhe për interesa të fuqizimit të shtetit?

Prandaj, politikan vizionar i Maqedonisë është ai që e shqipton këtë hapur dhe që e hap derën për një komunikim të tillë. Ai është burrështetasi që ia do të mirën këtij vendi, që e do këtë vend të jetë shtet stabil, i fuqishëm, i zhvilluar dhe i sigurt. Të tjerët, që e aktrojnë shtetin qytetar ose që mendojnë se i mbajnë me forcë shqiptarët të nënshtruar si pakicë (minoritet), vetëm e mashtrojnë veten, sepse kështu prodhojnë një fuçi që sa mendon se ia ke vënë kapakun mirë, ajo të plasë kur nuk e pret e kur nuk e kujton.